Përgjatë gjithë jetës së tij Dritan Abazoviqi ka synuar të jetë ndryshe nga të tjerët. I lindur ditën e Krishtlindjes së vitit 1985, djali i vogël i një familjeje shqiptare të Ulqinit, me tre fëmijë, ia ka dalë mbanë të pikasë gjithmonë, edhe mes të afërmve të tij.
Së motrës, Sanela Abazoviqit, i kujtohet, kur ishin fëmijë dhe ajo dhe vëllai i madh, Xhihani, festonin bashkë në dy ditë të njëpasnjëshme të marsit ditëlindjet e tyre me shumë të afërm përreth. Paksa i bezdisur nga vëmendja, që vëllai dhe motra merrnin në këto ditë, Abazoviqi fëmijë sigurohej t’iu kujtonte atyre se ditëlindja e tij ishte më e veçantë.
“Ai hipte mbi objekte të larta të shtëpisë dhe prej andej bërtiste: “Nuk e kuptoj, pse gëzoheni kaq shumë që ditëlindjen tuaj e festojnë të gjithë të afërmit. I gëzuar duhet të jem unë, që ditëlindjen ma feston e gjithë bota”, — kujton ajo.
Kjo natë ishte gjithashtu e vecantë për ulqinakët, të cilët në mënyrë të organizuar ndiqnin në televizor koncertin e përvitshëm të Krishlindjeve të mbajtur në Vjenë.
Sanela është mjeke mikrobiologe, e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë dhe drejton një klinikë private në Ulqin. Vëllai i madh, Xhihani, po kështu ka përfunduar studimet për mjekësi ri-gjeneruese në Beograd, ku edhe e ushtron profesionin si mjek urgjence.
Pavarësisht se i ati donte që edhe ai të vijonte studimet për mjekësi, Abazoviqi, që kishte prirje për lëndë si historia, gjeografia dhe filozofia, ndoqi një tjetër rrugë. Ai u regjistrua në degën e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, përkundrejt skepticizmit të familjes.
Sanela kujton se e ëma i vendosi një afat: Nëse nuk do të ishte i suksesshëm në universitet në gjashtë muajt e parë, atëherë duhet të kthehej menjëherë në Ulqin.
“Por Dritani, jo vetëm që rezultoi i suksesshëm në këtë zgjedhje, por arriti ta përfundonte fakultetin me rezultate të shkëlqyera dhe medalje në vetëm dy vite e gjysmë…”, — tregon ajo.
Përgjatë kryerjes së shkollës së mesme në Ulqin, rezultatet e tij nuk ishin të larta dhe kjo, sipas Sanelës, për shkak të natyrës rebele dhe përfshirjes në debate me mësuesit, pasi ankohej se ata nuk e kuptonin dhe nuk kishin përgatitje të mirë.
“Ashtu si shtatin, edhe natyrën kritike Dritani e ka marrë nga nëna. Të dy pothuajse nuk kënaqen asnjëherë dhe për çdo situatë thonë: “Mund të ishte edhe më mirë”, — thotë Sanela.
Të tre fëmijët e familjes Abazoviq kanë kryer studimet e tyre që prej fillores në gjuhën malazeze; kjo nisur nga fakti se arsimi në këtë gjuhë ishte më cilësor në Ulqinin e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe se mundësitë e tyre në tregun e punës pas përfundimit të shkollës ishin më të mëdha.
Shqipja gjithsesi është gjuha që familja ka përdorur gjithmonë në shtëpi dhe ka ndihmuar që identiteti etnik, shqiptar tek ata të mbetet i pacenuar.
Pas përfundimit të studimeve, Sanela thotë se atij iu bë një ofertë për të qëndruar dhe për të dhënë mësim në Sarajevë, ofertë, të cilën nuk e pranoi. “Ai është komplet ulqinak, dëshironte të kthehej dhe të kontribuonte në shtëpi”, — thekson ajo.
Dritan Abazoviqi është qartazi një politikan jo-nacionalist, i cili beson në një Mal të Zi demokratik, të zhvilluar, të integruar në rajon dhe në Bashkimin Europian dhe që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e tij. Gjithsesi, angazhimi për Ulqinin zë një vend të rëndësishëm në agjendën e tij, politike.
Lidhja e tij me qytetin është e ngushtë dhe, ndonëse vitet e fundit i ka kaluar kryesisht në Podgoricë, në çdo moment të lirë dhe në fundjavë ai kthehet pranë miqve dhe familjes në Ulqin. Kjo rutinë nuk ka ndryshuar as pas 28 prillit të këtij viti, kur ai u zgjodh kryeministër i Malit të Zi, duke u bërë i pari drejtues i këtij vendi, që vjen nga radhët e një minoriteti.
Ulqini, një qendër e rëndësishme, turistike dhe kulturore, është komuna me numrin më të madh të minoritetit shqiptar në Malin e Zi. Pak më shumë se 70% e qytetit janë shqiptarë etnikë, në një kohë kur shqiptarët në këtë shtet përbëjnë rreth 5% të popullsisë.
E ëma, Fadilja, është e para grua nga minoriteti shqiptar në Malin e Zi, që ka ndjekur studimet e larta për Juridik mes Sarajevës dhe Prishtinës. Ajo ka punuar prej dekadash si juriste në komunën e Ulqinit.
I ati, Xhaudet (Xho) Abazoviqi, i cili është ndarë nga jeta në vitin 2015, ka qenë mjaft i njohur, jo vetëm mes komunitetit të tij shqiptar, por në të gjithë Malin e Zi. Xhoja, siç e thërrasin miqtë, ka punuar në sektorin e marketingut të turizmit, duke mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese në kompanitë shtetërore, që menaxhonin turizmin në ish-Jugosllavi.
Ismet Karamanaga, president i shoqatës së Miqve së Kalasë së Ulqinit, thekson se, “Xhoja ishte një legjendë e turizmit në Malin e Zi.” Sipas Karamanagës, ai ka bërë prezantime të panumërta të turizmit jugosllav në çdo cep të Europës, duke dhënë një kontribut të çmuar në formimin e identitetit të Malit të Zi si një destinacion i rëndësishëm, turistik. Sipas tij, një nga përfituesit kryesorë të punës së Xhosë ishte Ulqini. “Ai i solli turizmit tonë një kohë të artë. Në vitet `70-`80, mijëra turistë perëndimorë vizitonin Ulqinin në plot 220 ditë në vit. Kjo i dha qytetit tonë një jetë më të mirë”, — thekson ai.
Lidhja e familjes Abazoviq me turizmin në Ulqin është e fortë. Në mesin e viteve `70, Xhoja dhe vëllezërit e tij ndërtuan në kodrinën me pamje nga deti mbi Plazhin e Vogël të Ulqinit restorantin “Stari Ribar” (Peshkatari i Vjetër), i cili vizitohej çdo vit prej mijëra turistëve perëndimorë, që vinin në Ulqin. Sot, restoranti quhet “Il Galeone” dhe në shtëpinë mbi të ka lindur dhe ka kaluar pjesën dërrmuese të jetë së tij Dritan Abazoviqi.
Për Mustafa Cankën, gazetarin e njohur, ulqinak të Malit të Zi, ai kishte dhe një tjetër dimension. “Xhoja kishte një energji dhe karizëm të jashtëzakonshme, ishte shpirti i shoqërisë. Në mbledhjet tona, të shpeshta në çarshi ai këndonte, vallëzonte dhe bënte humor me të gjithë”, — kujton Canka.
Mes komunitetit shqiptar të Ulqinit familja njihet me mbiemrin e të parëve, Abazi. Munib Abazoviq, i afërmi i tyre, thekson se familja Abazi mendohet se ka ardhur shekuj më parë nga Kruja në Ulqin.
“Gjatë kohës së komunizmit në ish-Jugosllavi në mënyrë të njëanshme mbiemrit tonë iu vendos prapashtesa “viq”, kjo si përpjekje e autoriteteve të kohës për ta asimiluar minoritetin”, — thekson ai. Pas viteve `90, gjithsesi u krijua mundësia për shqiptarët që t`i rikthenin mbiemrat e vjetër.
“Ne vendosëm të gjithë bashkë të mos i futeshim rrugës së ndryshimit, për shkak se mbiemri me “viq” është vetëm një detaj dhe nuk e cenon identitetin tonë, shqiptar”, — thekson ai.
___
Dashuria për Ulqinin duket se ka qenë fija lidhëse e miqësisë së ngushtë me Omer Bajraktarin dhe Ilir Harasanin, të dy tashmë pjesë e Lëvizjes Qytetare, URA, që Abazoviqi drejton që prej vitit 2017.
Bajraktari, i cili, si kandidat i Lëvizjes URA-s për drejtimin e komunës së Ulqinit, mori shumicën e votave gjatë zgjedhjeve lokale të marsit, thekson se, pavarësisht trashëgimisë, prej shumë dekadash ky qytet është lënë në harresë dhe është diskriminuar nga autoritetet. Por, sipas tij, që nga koha kur Abazoviqi nisi të mbante pozicione të larta në qeveri, gjërat kanë filluar të ndryshojnë për mirë në Ulqin.
Pas zgjedhjeve parlamentare të gushtit të vitit 2020 në Malin e Zi, kur pas tri dekadash Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviq kaloi në opozitë, Abazoviqi u emëruar si zëvendëskryeministri i qeverisë së re.
“Si zëvendëskryeministër ai ishte mjaft aktiv në procesin e kthimit të pronave në gjirin e Valdanosit për 240 familje ulqinake, një arritje mjaft e madhe. Ai kontribuoi edhe në kthimin e Kripores së Ulqinit në pronë shtetërore, pas një privatizimi korruptiv. Tashmë presim projekte të shumta në infrastrukturë, të cilat do ta forcojnë më shumë profilin turistik të qytetit”, — thekson Bajraktari.
Një nga premtimet e rëndësishme të Abazoviqit është edhe ndërtimi i urës mbi lumin Bunë, e cila do ta lidhë Ulqinin me Velipojën në Shqipëri për rreth 10 minuta. Ishulli i Bunës (Ada Bojana), është destinacioni i preferuar i Dritanit në Ulqin. Sipas miqve, ai aty ka krijuar kujtimet më të bukura të fëmijërisë, ku, së bashku me xhaxhain, Bërhanin, peshkonin dhe lundronin për ditë të tëra në Bunë.
Së bashku me mikun e tij, Bajraktarin, Abazoviqi ka në pronësi një kabinë druri prej 30 metrash në ishullin e Bunës, ku shpenzojnë kohën e lirë, si dhe një motoskaf për shëtitje në lumë dhe në det.
Bajraktari madje zbulon se dy herë shëtitjet e tyre me motoskaf kanë rezultuar edhe në shkelje të kufirit, kur të rinjtë kanë udhëtuar nga ishulli i Bunës për në Velipojë. Kjo shkelje përligjet nga Bajraktari me plotësimin e vizionit të të rinjve ulqinakë, artikuluar edhe nga Abazoviqi, mbi nevojën e kalimit të kufirit ujor mes dy vendeve pa dokumente, pa ndalim.
Por, Ilir Harasani, i cili ka qenë në të dyja këto udhëtime me motoskaf drejt Velipojës, jep një arsye më origjinale. “Në Shkodër spagetit me fruta deti kushtojnë vetëm 3,5 euro, nga 10 që kushtojnë në Adë. Ia vlente udhëtimi…”, — thekson ai, duke qeshur.
Tre miqtë për shumë vite kanë eksploruar bashkë shumë vende nëpër botë dhe kanë shijuar shumë fundjava në Shqipëri.
Tashmë, zëvendës-Sekretar i Përgjithshëm i qeverisë së Malit të Zi, Harasani thekson se Abazoviqi e ka ndihmuar të thyejë barriera mentaliteti në lidhje me atë çfarë shqiptarët mund të bëjnë në këtë shtet.
“Dritani si mik ka qenë një shtysë e madhe dhe më ka dhënë kurajë ta sfidoj veten dhe të provoj të angazhohem si profesionist në institucione të rëndësishme të Malit të Zi. Si shqiptar nga Ulqini, minoritet në Malin e Zi, kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua”, — thekson ai.
Harasani kujton kohën kur si student në Prishtinë ndiqte me admirim hapat e para të aktivitetit publik të Abazoviqit në Malin e Zi.
Abazoviqi pas kthimit nga Bosnja përfundoi edhe studimet master për Shkenca Politike në Universitetin e Malit të Zi dhe ndërkaq mbrojti doktoraturën po në Universitetin e Sarajevës. Pas përfundimit të ciklit të shkollimit, ai nisi të punonte si drejtor i televizionit lokal “Teuta” në Ulqin, si mësues në shkollën e mesme të qytetit dhe po kështu filloi të angazhohej me organizatën lokale të shoqërisë civile, “Mogul”, duke ngritur probleme që e shqetësonin qytetin. Paralelisht ai nisi të angazhohej me politikën dhe të shkruante për media të rëndësishme të Malit të Zi, si gazeta “Vijesti”, kundër regjimit të Milo Gjukanoviqit.
Në vitin 2012 ai u angazhua me partinë liberale, qytetare, “Mali i Zi Pozitiv”, dhe po atë vit, në moshën 27-vjeçare, u zgjodh deputet i kësaj partie në parlamentin e Malit të Zi, ku spikati me një retorikë të fortë kundër partisë në pushtet.
“Dritani tregoi si deputet i ri shumë trimëri, duke qenë një kritik shumë i ashpër dhe i drejtpërdrejt i Gjukanoviqit. Përveç oratorisë dhe argumentit të fortë, tregoi se nuk ishte inferior dhe se nuk kishte asnjë kompleks ndaj çdo politikani të rëndësishëm të Malit të Zi”, — thekson Harasani.
Me përçarjen e partisë “Mali i Zi Pozitiv”, Abazoviq u bë një nga themeluesit e partisë liberale dhe qytetare, URA, dhe në vitin 2017 u zgjodh kryetar i saj.
“Kur Dritani u zgjodh kryetar i partisë URA, një parti malazeze, e përbërë kryesisht nga të rinj progresivë, që kërkonin me ngulm ndryshime politike dhe sociale në Malin e Zi, u ndjeva mjaft krenar dhe kuptova që e ardhmja e tij në politikë nuk do të kishte më kufij”, — thekson Harasani.
Sanela Abazoviqi thekson se gjithashtu u ndje shumë krenare në këtë moment dhe i bleu të vëllait një kravatë të shtrenjtë, që të mund ta vishte në këtë event.
“Kur i thashë, sa kushtonte, më kërkoi menjëherë të ktheja mbrapsht. U mërzita pak, por ky është Dritani… Asnjëherë në jetën e tij nuk ka qenë i interesuar për veshjet e shtrenjta, pavarësisht përpjekjeve të mija”, — thekson ajo.
__
Pasioni i Abazoviqit për politikën është shquar nga njerëzit e tij të afërt në moshë fare të re. Mustafa Canka, i cili është një mik i afërt i familjes Abazoviq, kujton zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Në atë kohë Canka ishte kryetari për Ulqinin i Aleancës Liberale të Malit të Zi dhe Abazoviqi, vetëm 13 vjeç, i kërkoi t`i bashkohej stafit të tij për të ndjekur mbarëvajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë. Së bashku, më 31 maj të atij viti, ata patën një ditë aktive dhe vizituan shumë qendra votimi në Ulqin.
“Dritani, ndonëse ende fëmijë, u përfshi plot pasion në proces. Të nesërmen, kur u bë e qartë se Milo Gjukanoviqi kishte fituar me pothuajse 50% të votave, ai e përjetoi shumë keq dhe refuzoi të shkonte në shkollë për tri ditë me radhë”, — kujton Canka.
Sanela Abazoviqi po kështu kujton që i vëllai kishte një pasion të madh për politikën në një moshë fare të re, ndonëse në familjen e tyre politika diskutohej shumë rrallë.
“Në moshën 11-vjeçare ai shkroi një poezi, të titulluar “Unë jam liberal”; një poezi tërësisht politike për situatën që po kalonte Mali i Zi në atë kohë. Të gjithëve na bënte përshtypje ky pasion”, — kujton ajo.
Canka thekson se pasioni, besimi në ëndrrat e tij dhe kuraja për t`i realizuar ato, e kanë ndihmuar Abazoviqin të progresojë shpejt në politikë dhe të tejkalojë barriera, që nuk do të imagjinoheshin më parë.
“Dritani është guximtar, si ati. Identiteti dhe dimensionet e ndryshme tek ai gërshetohen në mënyrë të natyrshme, duke e bërë më të fortë. Beson dhe punon me mish e me shpirt për t`i realizuar ato që predikon. Kjo ndjehet nga njerëzit, ndaj ata e duan dhe e ndjekin”, — thekson Canka. /UlInfo(Fatjona Mejdini)
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën