Google ADS

Kriza maqedonase dhe Ballkani

23:08 | 14 Mars 2017
Arbresh.info

Kriza dy-vjeçare politike në Maqedoni po hyn në një fazë të rrezikshme, ndërkohë që nacionalistët po akuzohen për nxitjen e tensioneve etnike në përpjekje për të penguar hetimet për korrupsion.

Mijëra maqedonas kanë zhvilluar protesta kundër formimit të një qeverie koalicioni mes tre partive shqiptare dhe social demokratëve. Presidenti Gjorge Ivanov po mban anën e protestuesve dhe deri tani ka refuzuar t’i japë dritën e gjelbër një qeverie koalicioni, që do të linte jashtë partinë kryesore nacionaliste.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët thonë se acarimi i përplasjeve politike mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një Ballkan që shkon drejt destabilizimit.

Grupi “Për një Maqedoni të Bashkuar”, njoftoi të hënën se do të vazhdojë të organizojë protesta masive në Shkup dhe qytete të tjera në mbarë vendin kundër formimit të koalicionit. Grupi akuzon kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si autori i vërtetë i idesë së koalicionit, transmeton voa në gjuhën shqipe.

“Maskat kanë rënë”, tha në një deklaratë Bogdan Ilievski, njëri prej udhëheqësve të grupit. “Ne, – tha ai, – jemi në favor të një Maqedonie të bashkuar për të gjithë; jemi kundër platformave të hartuara në vende të tjera, që disa nga politikanët tanë nuk duan t’i kundërshtojnë në mënyrë të qartë. Pavarësisht nga përpjekjet e tyre për të fshehur qëllimet e vërteta, ata do të hasin në kundërshtimin e fortë të publikut demokratik. Njerëzit nuk do të kthehen në shtëpi”.

Një nga kërkesat kryesore të partive shqiptare është që gjuha shqipe të njihet si gjuhë e dytë zyrtare. Presidenti Ivanov i ka quajtur “kërcënim për sovranitetin e Maqedonisë” kërkesat për njohjen e të drejtave më të mëdha për shqiptarët.

Ngërçi mes dy grupeve më të mëdha etnike të vendit u keqësua dhjetorin e kaluar, kur partia nacionaliste maqedonase VMRO fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet parlamentare. Partitë shqiptare nuk pranuan të hyjnë në një qeveri koalicioni me VMRO dhe vendosën të bëhen partnere me socialdemokratët.

Socialdemokratët thonë se presidenti Ivanov po nxit grindjet etnike. Ata argumentojnë se ai po e përdor situatën për të mos i dhënë mandatin e formimit të qeverisë udhëheqësit të tyre Zoran Zaev, pasi Presidenti Ivanov dhe ish-kryeministri Nikola Gruevski tremben se socialdemokratët do të hapnin hetimet rreth përgjimeve të paligjshme politike dhe akuzave për korrupsion, të cilat nuk i janë ndarë qeverisë së VMRO qysh nga viti 2015.
Mosmarrëveshjet mbi të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni mendohej se ishin zgjidhur më shumë se një dekadë më parë. Në vitin 2001, kryengritja shqiptare që zgjati shtatë muaj dhe që la më shumë se 100 të vrarë, përfundoi me një marrëveshje, e cila u siguronte shqiptarëve më tepër të drejta. Megjithatë, përparimi për zbatimin e marrëveshjes ka qenë i ngadalshëm.

“Për të shmangur burgosjen e miqve të tij, Presidenti Ivanov po nxit përplasjet etnike mbi një çështje të parëndësishme si përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike,” thotë Gjovalin Shkurtaj, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Zakonisht, politikëbërësit në Bruksel apo në Uashington nuk do të shqetësoheshin për mosmarrëveshjet politike në një vend me vetëm 2 milion banorë si Maqedonia. Mirëpo grindjet në Ballkan historikisht kanë pasur pasoja të rënda për Evropën, duke filluar me vitin 1914, kur një serb i Bosnjes vrau Kryedukën Franz Ferdinand, trashëgimtar i fronit austro-hungarez, gjë që solli Luftën e Parë Botërore. Dekada më vonë, pas Luftës së Ftohtë, shpërbërja e shtetit jugosllav u bë shkak për një konflikt të përgjakshëm që solli ndërhyrjen e NATO-s.

Në fillim të këtij muaji, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, vizitoi Shkupin dhe i bëri thirrje Presidentit Ivanov të lejonte zotin Zaev për të formuar qeverinë. “I kërkova presidentit të reflektonte për të ardhmen dhe ta anulonte vendimin e tij në interes të të gjithë qytetarëve të vendit”, u tha zonja Mogherini gazetarëve.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ndërkaq kanë vazhduar përpjekjet për të shmangur acarimin e tensioneve etnike mes Serbisë dhe Kosovës. Në muajin janar, presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç paralajmëroi se ishte i gatshëm të dërgonte trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët e atjeshëm nëse kjo do të ishte e nevojshme. Presidenti serb tha se dy vendet ishin në prag të konfliktit.

Çështje të tjera që shkaktojnë ndarje mes partive dhe në opinionin publik janë ato që kanë të bëjnë me gjeopolitikën, pra nëse do të anohet nga Bashkimi Evropian apo nga Rusia.

Tensionet etnike janë në rritje edhe në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Bosnja mbetet e ndarë mes serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve dhe plagët e luftës së egër tre-vjeçare të viteve 1990 ende nuk kanë filluar të shërohen.

Rritjet e përplasjeve etnike përkojnë me përpjekjet e Kremlinit për të zgjeruar ndikimin në krejt Ballkanin, i cili po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm, thonë analistët. Moska vazhdon ofensivën e saj të joshjes, duke ofruar ndihma apo furnizime me armë të sofistikuara.
Historikisht Rusia e ka parë Ballkanin si sferën e saj të ndikimit.

Në Serbi, ofensiva diplomatike e Moskës ka dhënë rezultate. Nga një sondazh i organizatës Gallup, del se serbët e shohin Rusinë si aleate më të besueshme sesa NATO-n, organizatë që Beogradi zyrtar thotë se synon t’i bashkohet.

Në Maqedoni, Rusia po përpiqet gjithashtu të luajë kartën e saj. Moska akuzon Perëndimin se po përpiqet të instalojë në Maqedoni një qeveri që do të ndihmonte Shqipërinë të ndjekë politika ekspansioniste. Udhëheqësit e BE-së thonë se Moska është e vendosur të mos lejojë integrimin e Ballkanit në NATO.

Zaev ka paralajmëruar se llogaritë e gabuara në përplasjet e tanishme mund t’i “vënë zjarrin vendit.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme