Rritja e pagave, pagesa për pushime vjetore për rreth 20 mijë punonjës të administratës, shpërblime për kuponët fiskalë, subvencione për ngrohje, për makina, e shumë masa tjera, janë thuajse përditshmëri e qeverisë së Maqedonisë së Veriut në kohën kur vendi ndodhet edhe dy muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Zyrtarët, këto masa i arsyetojnë me nevojën për rritjen e standardit të qytetarëve, por edhe si ndihma në forma të ndryshme, që i kontribuojnë edhe ambientit, si ato për makinat dhe ngrohje.
Megjithatë, vendimi për pagesën për pushim vjetor, që ndryshe njihet edhe si K-15, ka shkaktuar polemika të shumta meqë ka përfshirë vetëm një pjesë të administratës dhe jo të gjithë, apo mbi 150 mijë sa numëron gjithsej.
Veç kësaj, masa e tillë ndërmerret në kohën kur Maqedonia e Veriut përballet me kritika të shumta për shkak të politizimit dhe numrit të madh të administratës.
“Si qeveri, po punojmë në përmirësimin e kushteve për punë në të gjithë sektorët, përfshirë edhe atë publik. Ndoshta e tërë administrata nuk është edhe aq produktive, por kemi një pjesë që tregon rezultate të shkëlqyeshme, andaj edhe vlerësoj se nuk duhet të devalvojmë asnjë punonjës në vend, por përkundrazi t’i nxisin ata që vërtet janë produktivë dhe të mundësojmë rritjen e pagave të tyre”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja për çështje ekonomike, Milla Carevska.
Por, organizatat tjera sindikale kanë reaguar ashpër ndaj një vendimi, siç thonë, përjashtues duke kërkuar nga qeveria që nga kjo masë të përfitojnë të gjithë punonjësit e administratës, apo fare të mos aprovohet.
“Të punësuarit në arsim, shkencë dhe kulturë nuk duan dhe nuk do të lejojmë që të ndihen të diskriminuar. Do t’i ndërmarrim të gjitha masat që të gjithë punonjësit të ndihen të barabartë. Ne jemi të sigurt se edhe punonjësit e shëndetësisë, të mbrojtjes, policisë dhe shërbimeve të tjera në shtet dhe institucione publike do të mbështesin në mënyrë aktive propozim-ligjin tonë për negociata kolektive, për të realizuar të drejtat e humbura në punë”, thuhet në një reagim të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Edhe nga Konfederata e Sindikatave e kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë duke e cilësuar “si masë populiste për të fituar vota në zgjedhjet e 12 prillit”.
Nga ana tjetër, qeveria ka ndërmarrë edhe një masë tjetër për të ndihmuar zejtarët në ruajtjen e profesioneve të ndryshme në këtë fushë. Nga Ministria e Ekonomisë kanë thënë se kjo bëhet me qëllim që të parandalohet largimi i të rinjve jashtë vendit.
“Kjo me siguri se do të ndikojë në ndalimin e largimit nga vendi të të rinjve, por njëkohësisht se kjo ka të bëjë edhe me rritjen e interesit të tyre, por edhe të qytetarëve të tjerë për shkak se vetëm në këtë mënyrë apo duke i inkurajuar, do t’ia kthejmë shkëlqimin e mëparshëm në fushën e zejtarisë”, thotë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Kjo masë, por edhe të tjerat, sipas ekspertëve, nuk do të rrisin efikasitetin e administratës apo të parandalojnë largimin e të rinjve nga vendi. Këto dukuri, thonë ata, nuk luftohet dy muaj para zgjedhjeve, por duhet të ndërtohen politika të qëndrueshme dhe të studiuara mirë për të pasur efekte pozitive.
“Shumë më pak flasim për atë se sa është efikase administrata publike. Gjithë kohën flasim për mbingarkim në sektorë të caktuar, flasim se një pjesë e tyre duhet të kalojnë në sektorin privat, por në anën tjetër ne i rrisim rrogat dhe jo përgjegjësitë dhe obligimet e tyre. Kështu vështirë se do të nxisim dikë të largohet apo të forcojmë administratën”, thotë Borçe Trenevski, ekspert i çështjeve ekonomike.
Masat e këtilla, në veçanti ajo e rritjes së pagave, është kritikuar edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar,meqë sipas tyre, rritje të pagave nuk mund të ketë në një vend ku nuk ka rritje të produktivitetit apo kur vendi përballet me kritika për administratë joefikase dhe të korruptuar./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...