Krichbaum: Këtë që po bën Bullgaria është shumë e rrezikshme

19:03 | 19 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Në një intervistë për Deutsche Welle, Gunther Krichbaum thotë se “këtë që po e bën Bullgaria është shumë e rrezikshme, por Maqedonia e Veriut nuk guxon të heq dorë, përkundrazi, me reforma të guximshme të dëshmojë se dëshiron të bëhet pjesë e BE-së”.

“Fatkeqësisht, është bërë një shprehi e keqe që kontestet ndërshtetërore gjatë zgjerimit të BE-së të shndërrohen në problem evropian. Atë kemi mundur ta shohim edhe gjatë hyrjes së Kroacisë me kontestin rreth Gjirit të Piranit ose në procesin e aderimit të Serbisë, ku Kroacia kundërshtoi. Ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe këtë ua kam thënë shumë qartë miqve tanë bullgarë”, thotë Krichbaum në lidhje me veton bullgare për fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

I pyetur për heshtjen e PPE-së, pjesë e së cilës është dhe partia e tij, ai tha se në diplomaci nuk është gjithmonë e këshillueshme që të gjitha bisedat të bëhen publike, por tha që EPP ishte gjithashtu të angazhuar në kërkimin e një zgjidhjeje të shpejtë.

Sipas tij, nëse bllokimi bullgar vazhdon për një kohë të pacaktuar, Maqedonia e Veriut në asnjë rast nuk duhet të heq dorë ose të ndalojë reformat e nevojshme.

“Vendi duhet të dëshmojë që përmes reformave të guximshme dëshiron të bëhet pjesë e BE-së”, tha Krichbaum.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme