Google ADS

Konviktet studentore në Maqedoni përgjysmojnë kapacitetet

23:41 | 23 Shtator 2020
Arbresh.info

Para konviktit studentor “Pellagonija” në Shkup, në qoftë se do të vinim në periudhën e njëjtë vitin e kaluar, aty do të “vlonte” nga studentët, por tani ky konvikt është i zbrazët.

Mirëpo, parashtrohet pyetja a do të funksionojë dhe si do të funksionojnë konviktet.

Drejtori i konviktit, Demir Hamiti, për TVM2 tha se po bëjnë përgatitjet e duhura që konvikti të fillojë me punë më 1 tetor, ndonëse ende nuk është zyrtare.

“Konvikti shtetëror studentor “Pellagonija” ka kapacitet prej 997 shtretërve, domethënë në bazë të protokollit që e ka sjellë Komisioni për Sëmundje Infektive, sivjet do të jemi me kapacitet të përgjysmuar. Domethënë do të kemi afër 498 studentë.”,- theksoi drejtori i Konviktit Studentor “Pellagonija”, Demir Hamiti.

Mbrojtja nga Covid-19 për konviktorët, protokollet mbrojtëse gati, por kjo ka kosto.

Çdo student në hyrje të konviktit do t’i matet temperatura dhe do të dezinfektohet, kurse do të jenë të detyruar të mbajnë maska mbrojtëse. Pajisjet mbrojtëse duhet t’i mbajnë edhe të punësuarit në konvikt.

“Jemi në kuzhinën e këtij konvikti studentor. Në bazë të protokolleve të reja duhet të sigurohet distancë prej së paku dy metra prej një tavolinë në tjetrën. Në një tavolinë nuk munden të ulen më tepër se dy persona, ndërsa pas çdo vakti ushqimor tavolinat duhet të dezinfektohen”,- tha Hamiti.

Dezinfektim duhet të kryhet edhe nëpër dhomat e konviktit.
“Dhomat e konviktit studentor disponojnë me katër shtretër, por në bazë të protokolleve të reja në një dhomë nuk munden të qëndrojnë më tepër se dy student”,- shtoi Hamiti.

Të gjitha këto protokolle të veçanta, sipas drejtorit të konviktit, do të kenë kosto të lartë financiare për konviktin. Por, ai shpreson që gjithçka të shkojë mirë dhe asnjë prej studentëve të mos infektohet nga Covid-19.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme