Kontejnerë përplot me mbeturina në Tetovë

22:44 | 6 Qershor 2021
Arditë Shkodra

Kontejnerë përplot me mbeturina. Jo vetëm kaq, por edhe përreth tyre ka sasi të mëdha të grumbulluara të mbeturinave. Kështu është pamja me papastërtinë publike ditëve të fundit në qytetin e Tetovës. Gjendja e këtillë është hasur në shumë lokacione të qytetit, madje shumë afër qendrës së tij. Krahas imazhit të keq, përreth disa kontejnerëve, hasen edhe qen endacakë, sidomos afër mishtoreve. Banorët e Tetovës janë të revoltuar me këtë gjendje duke nënvizuar se nuk mund të hapin dritaret nga era e rëndë prej mbeturinave. Qytetarët shprehen se krahas mospastrimit në kohë të mbeturinave nga ana e ndërmarrjes publike komunale, po ashtu problem në vete është se shumë njerëz janë të pandërgjegjshëm dhe hedhin mbeturina ku të arrijnë.

“Nëse vërejmë se ka mbeturina në kontejnerë, të cilët nuk janë pastruar, atëherë fajin e ka ndërmarrja publike që nuk pastron atë, por nëse ka mbeturina rreth kontejnerëve të hedhura në sasi të mëdha, atëherë faji është tek vet qytetarët sepse mbeturinat nuk hidhen çdo kund”, thotë Refeti, një banor i Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se kohëve të fundit janë kryer kontrolle në këtë drejtim, sidomos ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e hedhjes së mbeturinave, respektivisht atyre që të njëjtat i hedhin rreth kontejnerëve apo në vende tjera joadekuate. “Deri më tash janë kryer 15 kontrolle të subjekteve juridike, të cilët në mënyrë adekuate kanë bërë hedhjen e mbeturinave, dhe të njëjtëve u është udhëzuar që të bëjnë marrëveshje adekuate sipas ligjit për mbeturina. Këtë marrëveshje patjetër që duhet ta ketë çdo subjekt juridik që kryen veprimtari shërbyese. Ajo që është në kompetencë tonë është që nëse vërtetojmë në vendngjarje kur hidhen mbeturina, të dënojmë personin përgjegjës me një dënim prej 4 mijë euro ose 50 euro për person fizik”, deklaroi Snezhana Novakovska, nga Zyra për informim në Komunën e Tetovës.

Zgjidhja e kësaj situate shihet tek blerja e kontejnerëve të rinj nga ana e Ndërmarrjes Publike Komunale të Tetovës. Nga Komuna e Tetovës pohojnë se janë në proces të blerjes së 157 kontejnerëve të rinj. “Është duke u menduar që të vendosen kontejnerë nëntokësorë, të cilët do të zgjidhin këtë problem, por edhe do të lirojnë hapësirat ku janë vendosur këta kontejnerë dhe se kjo do të zgjidhë problemin edhe me vetëdijen e qytetarëve që të kenë kujdes ku hedhin mbeturina. Kjo pritet të shihet në të ardhmen. Tashmë janë siguruar 157 kontejnerë dhe 15 të tjerë, të cilët duhet të shërbejnë për riciklimin e qelqit dhe makineri e re e cila pritet të përforcojë parkun vozitës të Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë, e cila duhet që të zbusë gjendjen në teren me mbeturinat”, thotë Novakovska.

Mbeturinat merren çdo natë pas orës 23, por problemi është se të njëjtit mbushen menjëherë me mbeturina që në orët e para të mëngjesit të ditës së ardhshme, dhe gjatë tërë ditës pamja rreth kontejnerëve është sikurse të njëjtat të mos janë marrë aspak një kohë të gjatë. Kjo situatë pritet që të përkeqësohet gjatë periudhës së verës, kur në Tetovë kthehen mërgimtarët dhe ka shtim enorm të numrit të banorëve, dhe rrjedhimisht kjo ndikon edhe në rritjen e sasisë së mbeturinave. Se si do të menaxhohet kjo situatë nga autoritetet lokale në Tetovë, nuk ka ndonjë paralajmërim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme