Konfiskimi i pasurisë keqpërdoret politikisht

22:53 | 11 Mars 2017
Arbresh.info

Ndonëse ish kryeministri Nikolla Gruevski në vitin 2011 pretendonte se gjyqësori është kompetent për konfiskimin e pasurive të politikanëve dhe personave të tjerë të dyshuar për veprimtari joligjore, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. transmeton Alsat-M.

Sipas hulumtimeve të fundit janë hetuar dhe dënuar vetëm kundërshtarë politikë por jo të gjithë ata që janë kryer vepra joligjore, siç zotohej Gruevski. Deklaratat e tilla Gruevski i kishte bërë pas vendimit gjyqësorë për ngrirjen e xhirollogarive të biznesmenit Velija Ramkovski, ish pronar i televizionit A1.

Qeveria është ajo e cila duhet të zbatojë vendimet e gjyqit. Gjyqi ka bllokuar xhirollogaritë që kur ka filluar procedurë para hetimore ku ka një numër të madh të të dyshuarve dhe të të paraburgosur dhe gjyqi ka konstatuar se nuk ka pasuri për konfiskim! Për këtë shkak ka bllokuar llogaritë – pati deklaruar më 2011-tën kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.

Një hulumtim i Institutit “Skupi Makedonia” konstaton se deri më tani, konfiskimi i pasurisë është zbatuar duke pasur për bazë prapavijën politike ndërsa gjykatat kanë vepruar në mënyrë të njëanshme.

Pas të gjitha aferave për korrupsion, vetëm dy politikanë janë gjetur në listë të cilëve i është konfiskuar pasuria. Duhet të kemi parasysh se kemi raste si “TAT”, “Expoert-import” banka Metodis Sminenski, rasti “Bacilo” ku ishin të përfshirë një numër i madh i politikanëve dhe afera e Telekomit – tha gazetari Gorazd Çomovski.

Në listën e personave të dyshuar dhe ndaj të cilëve është zbatuar masa e konfiskimit të pasurisë gjenden dhjetëra mjekë dhe avokatë por asnjë politikan. Sipas raportit të Koalicionit “Të gjithë për gjykime të drejta” që nga viti 2009 deri më tani në vetëm 5% e procedurave për konfiskimin e pasurive janë zbatuar.

Janë simptomatik disa raste të cilat kemi pasur mundësi ti shohim. Do t’i theksoja rastet gjyqësore kundër Lube Boshkovskit, Sllobodan Bogoevskit, kundër kryetarit të mëparshëm të Karposhit. Këto janë tre rastet e vetme në të cilët është caktuar masa për konfiskimin e pasurisë edhe atë tek ndokush me konfiskim të parave, ndërsa në raste të tjera me konfiskim të pasurisë. Prapavijë dhe motive politike kuptohet se ka – u shpreh Natali Petrovska, Drejtoreshë e Koalicionit “Të gjithë për gjykime të drejta”.

Ligji për procedurë penale në nenin 89A dhe 493A përcakton mënyrën e konfiskimit të pasurive ndaj personave të dyshuar për veprimtari jo ligjore. Për mos respektimin e kësaj mase nga gjykatat në Maqedoni dhe dyshimet për keqpërdorime nga ana e Agjencisë për menaxhimin e pasurive të konfiskuara kritika kanë drejtuar Komisioni Evropian dhe Departamenti amerikan i shtetit.

Të ngjashme