Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpreh unitetin shtetëror dhe përfaqëson vendin në skenën politike ndërkombëtare, ndërsa të drejtat dhe detyrat e tij i ushtron në bazë të dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve.
Presidenti zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë. Mandati presidencial zgjat pesë vite, duke filluar nga dhënia solemne e betimit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për President të Republikës i njëjti person mund të zgjidhet më së shumti dy herë.
Presidenti duhet doemos të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në zgjedhje të jetë së paku në moshën 40 vjeçe. President i Republikës nuk mund të zgjidhet personi i cili deri në ditën e zgjedhjeve nuk ka qenë banor i Republikës së Maqedonisë së paku dhjetë vite në 15 vitet e fundit.
Kushtetuta parashikon që kandidat për President të Republikës të mund të propozojnë së paku 10.000 zgjedhës ose së paku 30 deputetë.
President i Republikës zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve.
Nëse në raundin e parë asnjëri kandidat për President nuk merr shumicën e nevojshme të votave, në raundin e dytë votohet për dy kandidatët të cilët në raundin e parë kanë marrë numër më të madh të votave.
Raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditëve nga përfundimi i raundit të parë të votimit. I zgjedhur në raundin e dytë konsiderohet kandidati që ka marrë shumicën e votave nga zgjedhësit të cilët kanë votuar, me kusht që në votim të kenë marrë pjesë së paku 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar. Ky është censusi i nevojshëm.
Nëse edhe në raundin e dytë të votimit asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e tërë procedura e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se kryetari i Kuvendit të RM-së në kompetencën e të cilit është shpallja e zgjedhjeve, duhet të fillojë procedurën me marrjen e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve për President të RM-së.
Kodi zgjedhor parashikon që shtetasit e Republikës së Maqedonisë të cilët janë me punë të përkohshme ose qëndrim jashtë vendit, gjegjësisht diaspora siç është më shumë e njohur, të votojnë në zgjedhjet për President të Republikës së Maqedonisë.
Fushata zgjedhore e kandidatëve për President të Republikës së Maqedonisë fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, ndërsa edhe në raundin e parë të votimit edhe në të dytin nuk guxon të zgjasë 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe në vetë ditën e zgjedhjeve.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës, siç parashikon Kushtetuta, bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të presidentit paraprak. Në rast të mbarimit të mandatit të Presidentit të Republikës për çfarëdo arsyesh, zgjedhja e presidentit të ri bëhet në afat prej 40 ditëve nga dita e mbarimit të mandatit.
Para marrjes së detyrës, Presidenti i Republikës jep betimin solemn para Kuvendit me të cilin obligohet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Në rast të vdekjes, dorëheqjes, pengesës së përhershme për të ushtruar postin ose ndërprerje të mandatit sipas fuqisë së Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, postin e Presidentit të Republikës e ushtron kryetari i Kuvendit.
Krijimin e kushteve për pushimin e postit të Presidentit të Republikës e përcakton Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë sipas detyrës zyrtare.
Në rast të pengesës për të ushtruar postin, Presidentin e Republikës e zëvendëson kryetari i Kuvendit.
Kur kryetari i Kuvendit e ushtron postin e Presidentit të Republikës, ai merr pjesë në punën e Kuvendit pa të drejtën e vendimmarrjes.
Të drejtat dhe detyrat e shefit të shtetit
Sipas të drejtave dhe detyrave të përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë, Presidenti e përcakton mandatorin për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i emëron dhe i revokon me dekret ambasadorët dhe emisarët e Republikës së Maqedonisë jashtë vendit, i pranon letrat kredenciale dhe revokuese të përfaqësuesve të huaj diplomatik, lidhë marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës, ndanë dekorata dhe mirënjohje, si dhe jep falje.
Dekretin për shpalljen e ligjeve e nënshkruajnë Presidenti i Republikës dhe kryetari i Kuvendit. Presidenti i Republikës mund të vendosë që të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, nëse konsideron se nuk është në përputhje me Kushtetutën ose bie ndesh me marrëveshjet pozitive ndërkombëtare dhe ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend. Nëse me këtë rast Kuvendi i miraton me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti i Republikës është i obliguar që të nënshkruajë dekretin. Presidenti i Republikës është i obliguar të nënshkruajë dekretin, nëse sipas Kushtetutës, ligji miratohet me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Në kuadër të kompetencave të Presidentit të Republikës është edhe të propozojë dy gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, dy anëtarë të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, ndërsa propozon edhe dy anëtarë të Këshillit për radiodifuzion. Presidenti e propozon edhe guvernatorin e Bankës Popullore të RM-së, të cilin më pas e emëron Kuvendi.
Presidenti i Republikës është komandant suprem i forcave të armatosura të Republikës së Maqedonisë, emëron dhe shkarkon kryeshefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë, emëron dhe shkarkon gjeneralë. Ai është edhe kryetar i Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë dhe emëron tre vetë nga anëtarët e Këshillit. Presidenti, gjithashtu, emëron dhe shkarkon drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës.
Titullin artist nacional e ndan Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të propozimit të ministrit të Kulturës, e me mendim paraprak të komisionit.
Dispozitat të cilat kanë të bëjnë me Presidentin e Republikës së Maqedonisë janë të vendosura në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë (pjesa III – kapitulli 2 dhe në pjesë dhe kapituj të tjerë) Pasqyrë e obligimeve dhe autorizimeve të Presidentit të Republikës së Maqedonisë sipas Kushtetutës dhe ligjeve, si edhe disa ligjeve të caktuara.
Procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës inicion Kuvendi me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Për përgjegjësinë e Presidentit vendosë Gjykata Kushtetuese me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i gjykatësve.
Nëse Gjykata Kushtetuese vërteton përgjegjësi të Presidentit të Republikës, posti i pushon sipas fuqisë së Kushtetutës./AIM/
Gjesti-Xhenetës: Ose po e përkrahim njëri-tjetrin, ose po e ...
Banka Qendrore e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit
Rama: Vetëm këtë vit në kryeqytet janë mbjellë 30 mijë kuror...
Tayna lanson projektin e ri muzikor “Obsesion”
Ndërron jetë papritmas Aulon Grabovci, nipi i politikanit të...
Ndeshja mes Francës dhe Izraelit u ndoq nga numri më i vogël...