Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ‘CPJ’ u bëri thirrje të martën autoriteteve serbe të mos e ekstradojnë gazetarin bjellorus Andrey Gnyot dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm.
Sipas CPJ, autoritetet serbe e ndaluan gazetarin Gnyot në Serbi më 30 tetor të vitit 2023 në bazë të një fletarrestimi të Interpolit, të lëshuar nga byroja e kësaj organizate në Bjellorusi.
Vendimi përfundimtar për ekstradimin e tij pritet “në çdo moment”, sipas një miku të gazetarit Gnyot, të cituar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.
“Si vend kandidat i Bashkimit Evropian, Serbia duhet t’i rezistojë fushatave represive të regjimeve autoritare si ai i Presidentit bjellorus Aleksandr Lukashenko, një armik i njohur i shtypit të lirë,” deklaroi drejtuesja e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve për Evropën dhe Azinë Qendrore, Gulnoza Said.
“Serbia duhet ta kundërshtojë kërkesën e Bjellorusisë për të ekstraduar gazetarin Andrey Gnyot, ta lirojë atë menjëherë dhe t’i ofrojë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Autoritetet bjelloruse duhet t’i japin fund përpjekjeve të tyre që ta përdorin listën e personave të kërkuar të agjencisë Interpol për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve,” theksoi zonja Said.
Gazetari Gnyot, bashkëpunëtor i një sërë mediash të pavarura, përfshirë Radio Evropën e Lirë gjatë protestave të vitit 2020 kundër Presidentit bjellorus Lukashenko, po mbahet në burg në Beograd dhe gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm, thotë kjo organizatë, duke iu referuar një letrre së zotit Gnyot që mban datën 11 maj.
Në këtë letër, sipas organizatës, gazetari Gnyot shkruan se këmba e tij e majtë është paralizuar pjesërisht që nga muaji prill dhe se atij nuk po i ofrohet trajtim i duhur mjekësor.
Sipas organizatës, e cila informacionet e saja i bazon në raportet e Shoqatës së Gazetarëve Bjellorusë, që vepron jashtë Bjellorusisë, raporteve të mediave dhe një miku të gazetarit të ndaluar, autoritetet bjelloruse ngritën padi ndaj zotit Gnyot për shmangie të pagimit të taksave.
Avokatët mbrojtës të gazetarit Gnyot i konsiderojnë akuzat ndaj tij si të motivuara politikisht, thuhet në deklaratën e organizatës.
Ai po ashtu është njëri ndër themeluesit e një shoqate sportistësh bjellorusë që çuan në anulimin e Kupës Botërore të Hokejit në Bjellorusi në vitin 2021. Autoritetet bjelloruse e kanë shpallur këtë organizatë “grup ekstremist.”
Gjatë një paraqitjeje në gjykatë, sipas Komitetit që citon një raport të transmetuesit publik gjerman DW, zoti Gnyot ka deklaruar se në Bjellorusi atë e presin “tortura vdekjeprurëse”, duke shtuar se “në Bjellorusi nuk ka ligj, mbrojtje dhe gjykata të pavarura. Kushdo që kundërshton autoritetet arrestohet, torturohet dhe turpërohet.”
Sipas Komitetit, nëse gazetari Gnyot ekstradohet në Bjellorusi, ai mund të përballet edhe me akuza të tjera si përfshirje në themelimin apo pjesëmarrje në grupe ekstremiste, që parashikojnë një dënim deri në 10 vjet burgim. Sipas Kodit penal të Bjellorusisë, mospagimi i taksave dënohet me shtatë vjet burgim, thuhet në deklaratën e Komitetit.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ve në dukje se në dhjetor të vitit 2023, Gjykata e Lartë e Beogradit vendosi kundër ekstradimit duke argumentuar se kushtet për ekstradimin e tij në Bjellorusi nuk ishin përmbushur. Por ky vendim, sipas organizatës, u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit, që e dërgoi rastin për rishqyrtim.
Bjellorusia është vendi i tretë në botë për numrin e gazetarëve të arrestuar, me të paktën 28 gazetarë që janë duke vuajtur dënime në burg./voa
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...