Komandanti i NATO-s viziton Beogradin

20:40 | 17 Korrik 2019
Arbresh Info

Komandanti më i lartë i NATO-s u takua të mërkurën me udhëheqësit politikë dhe ushtarakë serbë në Beograd, vizita e tij e parë në Serbi që prej ardhjes në këtë post.

Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA, Tod Wolters, i cili në muajin maj bëri betimin si komandanti më i lartë i forcave aleate në Evropë, një post i mbajtur gjithmonë nga një ushtarak amerikan, u prit nga gjeneral Milan Mojsiloviç, kreu i Forcave të Armatosura të Serbisë, përpara se të takohej me Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe ministrin e Mbrojtjes Aleksandër Vulin.

“Folëm për një gamë të gjerë temash dhe jam i lumtur të them se me punën dhe përkushtimin e madh, Serbia po nxit paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha gjeneral Wolters në një deklaratë të përgatitur për shërbimin serbisht të Zërit të Amerikës.

Gjenerali nuk iu përgjigj pyetjeve nëse kishte planifikuar të vizitonte Kosovën gjatë qëndrimit në rajon.

Presidenti Vuçiç publikoi një deklaratë pas takimit me gjeneralin Wolters, në të cilin i quante paqeruajtësit ndërkombëtarë të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë (KFOR) si garantues të sigurisë për serbët që jetojnë atje.

Zoti Vuçiç tha gjithashtu se gjenerali Wolter ra dakord të vendoste një linjë telefonike për komunikim emergjent midis forcave serbe dhe KFOR-it, për të eliminuar me shpejtësi tensionet ose episodet e dhunës.

“Komunikimi i mirë midis Forcave të Armatosura Serbe dhe KFOR-it është i rëndësishëm” në mënyrë që çdo situatë krize në Kosovë të mund të parandalohet menjëherë, tha Presidenti Vuçiç. “Kjo është një garanci sigurie për popullin serb në Kosovë”.

Gjenerali Wolters, në përgjigje, shprehu mbështetjen e tij ndaj përpjekjeve të Serbisë për të ruajtur stabilitetin dhe për të zhvilluar bashkëpunimin në rajon.

Presidenti francez Emmanuel Macron u takua me Presidentin Vuçiç në Beograd të hënën dhe u zotua të ndihmojë në rigjallërimin e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës.

Gjatë vizitës së tij, e para në Serbi e një presidenti francez që nga viti 2001, zoti Macron gjithashtu shprehu mbështetje për qëllimin e deklaruar të Beogradit për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian megjithëse përsëriti pikëpamjen e tij se BE duhet të miratojë reforma përpara se të shtojë anëtarë të rinj.

Lidhjet historikisht të ngushta midis Beogradit dhe Parisit u dëmtuan rëndë kur forcat e NATO-s bombarduan Serbinë në vitin 1999 si dhe me njohjen nga Franca të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Serbia zyrtarisht është në rrugën për t’u bërë anëtare e BE që nga viti 2008. Vendi gjithashtu mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, ndikimi në rritje i të cilave në Ballkan ka ngjallur shqetësime në Perëndim.

“I kërkova Francës që të na ndihmojë në rrugën tonë evropiane dhe në zgjidhjen e krizës së Kosovës,” tha zoti Vuçiç për takimin e tij me presidentin francez.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme