Koalicioni “Forumi Shqiptar – Bashkim dhe Zhvillim”, i drejtuar nga Nik Gjeloshaj, ka fituar shumicën absolute në zgjedhjet në Tuz – komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës – të cilat u mbajtën me 5 mars. Ky koalicion ka marrë rreth 52 për qind të votave, sipas të dhënave preliminare.
Në këtë koalicion, veç partisë së Gjeloshit – Alternativa Shqiptare (AA) – bëjnë pjesë edhe partitë tjera shqiptare: Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG).
Koalicioni “Rrugës së drejtë” – Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia Boshnjake (BS) dhe Social Demokratët (SD), fitoi 33 për qind të votave.
Në garë ishin edhe dy koalicione të tjera, sikurse koalicioni shqiptar “Bashkë” – Partia Demokratike (PD) dhe Forca, dhe koalicioni “Me gjithë zemër për Tuzin” – Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Lëvizja për Tuzin. Si dhe, tri subjekte politike: “Më të fortë jemi së bashku” – Demokratët, “Për Tuzin me nderë” – Partia Popullore Socialiste (SNP) dhe “Për gjeneratat e ardhshme” – Partia për Drejtësi dhe Pajtim (SPP).
Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 12.387 votues, ku 66.5 për qind nga ta morën pjesë në votime.
Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, me parregullsi të vogla që nuk mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
Tuzi është në qendër të Malsisë, që gjendet mes Malit të Zi dhe Shqipëri.
Statusin si komunë e pavarur , Tuzi e rifitoi në shtator të vitit 2018, duke u ndarë nga kryeqyteti i Malit të Zi.
Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës dhe më pas një prej komunave të kryeqytetit.
Në zgjedhjet e para të mbajtura më 2019, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq fitoi pushtetin në Tuz./rel
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...
Mbahet takimi i 257-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, m...
Dabiqaj heroi i Dritës, “Intelektualët” shkëputen në tabelë
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...