Rezultatet zgjedhjeve lokale në rrethin e parë në Maqedoni, të mbajtura më 15 tetor që çuan në balotazh numrin më të madh të komunave me shumicë shqiptare, kanë imponuar formimin e koalicioneve para mbajtjes së rrethit të dytë të votimeve më 29 tetor.
Bashkimi Demokratik për Integrim në koalicion me Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë prin në shumicën e komunave shqiptare, megjithëse nëse mblidhen votat që ka fituar Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa, bashkërisht këto dy parti dalin para kandidatëve të BDI-së për kryetarë komune.
Betejë interesante zhvillohet edhe në Komunën e Strugës dhe atë të Gostivarit, ku në balotazh janë futur kandidatët e dy partive politike shqiptare që janë në pushtet, Aleancës për Shqiptarët dhe BDI-së, mbështetur nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë.
Në opinion u paraqitën zëra se kjo mund ta lëkund dhe koalicionin qeverisës. Por, këto parashikime i kishte mohuar kryetari Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili është kandidat për Komunën e Strugës. Po ashtu, edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev nuk i kishte ndërlidhur shumë rezultatet e zgjedhjeve lokale me mbijetesën e Qeverisë qendrore.
Por, njohësit e çështjeve politike e shohin si shumë joparimore mbështetjen e social-demokratëve për BDI-në, madje dhe angazhimin personal të kryeministrit, Zoran Zaev në fushatën për kandidatët për kryetarë komune.
Zemri Elezi, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thotë se ishte një numë i madh i shqiptarëve që iu bashkëngjitën revolucionit shumëngjyrësh për të larguar nga pushteti partitë, OBRM-PDUKM dhe BDI-në.
Ai rikujton se strukturat udhëheqëse të ish-partive në pushtet, në bazë të bisedave të përgjuara të cilat i publikoi në atë kohë opozita maqedonase, kishin vënë në dijeni opinionin për përfshirje edhe në aktivitete të rënda apo edhe të dyshuara si kriminale.
“Kur e them se kemi të bëjmë me një koalicion joparimor mes LSDM-së dhe BDI-së, bazohem në atë që kishte përpjesëtuar, Zoran Zaev, si drejtues i atëhershëm i opozitës që ta rrëzojë diktaturën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevski, në bashkëqeverisje e BDI-në”, thotë Elezi.
“Zoran Zaev,tani si kryeministër, nga një ekstremitet kalon në një ekstremitet tjetër. Ai së paku në këtë periudhë, mendoj më së paku është dashur të rreshtohet përkrah BDI-së. Ai është dashur të mbajë një qëndrim neutral, të paktën ndaj partive politike shqiptare dhe elektoratit shqiptarë, falë të cilit ai është në krye të Qeverisë”, vlerëson Elezi.
Ndërkohë, një mendim krejt ndryshe ka Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë. Ai thotë se nuk ka asgjë të keqe që Lidhja Social- Demokratike e Maqedonisë të përkrah kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim, sepse bëhet fjalë për pushtetin lokal dhe jo politikat në nivelin qendror.
“Demokracia është dhe proces i numrave dhe për mua është legjitime që çdo pjesëmarrës i procesit, në mënyrë sa më praktike, sa më efektive, të zmadhojë kuantumin e votave për të drejtuar komunat”.
“Tani bëhet fjalë për kryetarë komunash dhe çdo kandidat tenton të dalë fitues në garë dhe në këtë drejtim asgjë nuk duhet parë si dramatike”, thotë Musliu.
Ndërkaq, kryetari i shoqatës së ish-të burgosurve politikë shqiptarë, Shpëtim Pollozhani, i cili ishte angazhuar edhe para dy vitesh për bashkimin e opozitës shqiptare, thotë se faktorizomi i partive shqiptare është mëse i domosdoshëm në këtë rast me koalicionin Aleanca Për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, kundrejt imponimit të konceptit qytetarë që e promovon Lidhja Social -Demokrate e Maqedonisë, që në këto rrethana, sipas tij, nuk është në favor të interesave të shqiptarëve të Maqedonisë.
“Për momentin paraqitet një dukuri që shikuar në aspektin kombëtar është shumë e rrezikshme sa i përket çështjes së konceptit qytetarë të shtetit nga aspekti i Zaevit. Me një fjalë promovohet ideja që qytetari t’i ketë të gjitha të drejtat individuale, por jo edhe të drejtat kolektive”.
“Në këtë rast unë hamendem sa do të mund të angazhohen për të drejtat kolektive të shqiptarëve, shqiptarët- shqiptarë, të cilët do arrijnë të marrin pushtetin përmes LSDM-së. Natyrisht se ata do të jenë të detyruar të angazhohen në zbatimin dhe programin e projekteve të LSDM-së, që ne si komb nuk na shkojnë në dobi aspak”, thotë Pollozhani.
Ndryshe, në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore të 29 tetorit, kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim, mbështetur nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë do të përballen në 5 komuna me kandidatët e Aleancës për Shqiptarët dhe në 7 të tjera me kandidatët e Lëvizjes Besa, të cilat kanë arritur të mbështesin njëri-tjetrin në komunat që janë futur në balotazh.
Gjermania dyshon se dy kabllo nënujore iu këputën qëllimshëm
Raketa amerikane godasin Rusinë, Meçollari: Integriteti terr...
Abdixhiku njofton për aderimin e ri, babain e futbollistit E...
Zgjedhjet politike të 2025, Presidenti Begaj nis konsultimet...
Logopedi s’u dënua për keqtrajtimin e 3-vjeçares me autizëm,...
UEFA njofton se kanë nisur procedurat për ndeshjen mes Ruman...