Google ADS

Kisha Ortodokse Maqedonase mbështet Kishën Ortodokse Ukrainase, të ndaluar nga Kievi

22:47 | 12 Shtator 2024
E.G

Sinodi i Shenjtë i Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, gjatë një mbledhjeje më 12 shtator mbështeti Kishën Ortodokse Ukrainase, e cila u ndalua në gusht të këtij viti nga Parlamenti i Ukrainës.

Kjo çështje u diskutua në takimin e rregullt të Sinodit, kur edhe disa çështje të tjera të lidhura me kishën u trajtuan, sipas njoftimit të lëshuar nga Kisha.

“Sinodi i kushtoi vëmendje të veçantë situatës me Kishën simotër Ortodokse Ukrainase, e cila administrativisht u shpërbë nga Parlamenti ukrainas përmes projektligjit 8371. Kështu, miliona besimtarë, që e kanë ndjekur atë kishë, po privohen nga e drejta themelore e përkatësisë fetare, besimit dhe kryerjen e shërbesave fetare”, u tha në njoftimin e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit.

Kisha maqedonase tha po ashtu se “duke dëshmuar të vërtetën ungjillore, i shprehim mbështetje Kishës Ortodokse Ukrainase, mitropolitit të saj të Kievit dhe mbarë Ukrainës, zotit Onufrius, vëllezërve tanë peshkopë duke u lutur se Zoti t’u japë forcën e duhur për të kapërcyer këto sprova”.

Më 24 gusht presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, nënshkroi në ligj ndalimin e kishave ortodokse në Ukrainë, të lidhura me Rusinë, pasi paraprakisht projektligji ishte miratuar nga Parlamenti.

Në ligj thuhet se organizatat fetare që operojnë në territorin ukrainas nuk mund të kenë qendra administrative në Rusi, përfshirë në Kishën Ortodokse të Rusisë.

Kisha që njihet në Ukrainë është Kisha Ortodokse e Ukrainës.

Ukraina ka tentuar që ta distancojë vetën nga Kisha ruse që nga viti 2014, por përpjekjet e Kievit u intensifikuan pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

Kisha Ortodokse Ukrainase zyrtarisht u nda nga Patrikana e Moskës më 2022, por autoritetet ukrainase vazhdimisht kanë akuzuar priftërinjtë se vazhdojnë të jenë besnikë ndaj Rusisë.

Pushtimi rus i Ukrainës mbështetet nga udhëheqësi i Kishës Ortodokse në Rusi, patriarku Kirill, aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.

Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit u njoh në maj të vitit 2022, përmes një vendimi të Sinodit të Shenjtë të Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, që udhëhiqet nga patriarku Bartolomeu. Më pas, Kisha Ortodokse Serbe e njohu autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit.

Që nga viti 1967, kur shpalli pavarësinë nga Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit ka qenë e izoluar ndërkombëtarisht dhe nuk është njohur nga bota ortodokse./rel

Të ngjashme