Rajoni i Komunës së Tetovës së bashku me 5 komunat rurale këtë vit shënon numër rekord të zjarreve. Deri ditën e diel (22 gusht) gjithsej njësia kundër zjarrit në Tetovë ka intervenuar në 461 raste të përhapjeve të zjarreve. Ky numër është për tetë muaj, kurse deri në fund të vitit ka edhe katër muaj dhe ky numër do të arrijë deri në 500, thonë nga Njësia kundër zjarrit në Tetovë. Kaq numër të madh të zjarreve ka patur në vitin 2007, gjithsej 600 intervenime për shuarjen e tyre. Pas pothuajse 14 vitesh qetësi me zjarret, këtë vit shënohen rekord intervenime në rajonin e Pollogut. Shumica e zjarreve kanë qenë në vende të hapura, pyje, fusha por edhe nëpër objekte banimi apo objekte tregtare.
“Këtë vit shënojmë numër rekord të zjarreve. Mund të them se kemi qenë të suksesshëm gjatë intervenimit për shuarjen e tyre. Këtë e them se nuk e kemi lënë që zjarret të përhapen dhe të zhvillohen deri në përfshirjen e tyre të objekteve të banimit. Zjarri është afruar edhe tek shtëpitë, por falë intervenimit tonë, ata zjarre janë eliminuar”, thotë Uka Aliti, komandant i Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.
Gjatë intervenimeve në shuarjen e zjarreve nuk ka munguar edhe përkrahja nga qytetarët. “Mund të them se edhe apelet tona kanë dhënë rezultate sepse qytetarët tashmë janë të vetëdijshëm se kur janë në pyetje zjarret duhet të jenë të kujdesshëm, sidomos në temperatura të larta. Po ashtu, gjatë intervenimeve tona kemi patur edhe shumë qytetarë që kanë ndihmuar pa kursyer asgjë dhe bashkërisht me neve jemi përballur me zjarret. Sidomos kjo vlen për rajonin e Komunës së Bërvenicës”, thekson ai.
Jo rrallë herë, gjatë arritjes në vendngjarje ekipet e zjarrfikësve hasin në probleme në komunikacion. Rrugët janë të ngushta, ka numër të madh të automjeteve në rrugë dhe vozitës të pandërgjegjshëm që nuk lëshojnë rrugë. Uka Aliti pohon se tashmë kohëve të fundit ka një rritje të vetëdijes së qytetarëve, dhe kur hasin në automjetet e zjarrfikësve ata u japin përparësi.
“Mund të them se qytetarët dita-ditës po vetëdijesohen dhe për momentin nuk e kemi atë problem, ka raste të rralla kur nuk japin përparësi. Në të kaluarën kemi patur shumë probleme me këtë dukuri. Këtë verë kemi patur shumë vetura nëpër rrugët tona, por probleme të kësaj natyre nuk kemi patur. Jemi shumë falënderues ndaj qytetarët që na japin përparësi”, sqaron Aliti.
Një kërkesë e kamotshme e Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë është disperzimi i saj, apo hapja e pikave nëpër komuna rurale. Deri më tash nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret. Kreu i zjarrfikësve të Tetovës kërkon që të hapet një pikë e Njësisë së zjarrfikësve edhe në Kodrën e Diellit.
“Unë shpeshherë kam apeluar se do të ishte mirë që të kishim pika të Njësisë së zjarrfikësve edhe nëpër komunat tjera. Kjo vlen edhe për fatkeqësitë tjera natyrore dhe jo vetëm për zjarret, siç janë vërshimet apo aksidentet e trafikut. Në këtë rast një intervenim në kohë i menjëhershëm do të shpëtonte jetë njerëzish, sepse siç e dini ne bazën e kemi në Tetovë dhe për të arritur në Jazhincë, apo në fshatrat e malësisë së Tetovës na duhet shumë kohë. Po ashtu do të ishte mirë që edhe në Kodrën e Diellit të ketë një pikë të zjarrfikësve, sepse tashmë me shpalljen e Malit Sharr për park kombëtar, turistët që do të vijnë do të duhet që të ndjehen të sigurt, prandaj duhet që në këtë drejtim të mendohet më shumë”, tha Aliti.
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona
Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora
Kë do të largonte Leo nga shtëpia po të kthente Lelën?, ja c...
Dua Lipa fejohet me Callum Turner
Seuli: Ukraina ka zënë rob një ushtar verikorean
Ministri Peci sot mban konferencën përmbyllëse për media