Këtë muaj takim i ri mes Shkupit dhe Sofjes

15:50 | 5 Shtator 2020
Arbresh.info

Këtë muaj në Shkup pritet të mbahet takim dy-ditësh i Komisionit maqedono-bullgar për çështje të historisë dhe arsimit.

Anëtari i ekipit maqedonas, Petar Todorov thotë se data e takimit mbetet të konfirmohet nga të gjithë 14 anëtarët ndërkohë që Qeveria duhet t’i zgjidh disa probleme administrative, por pa dhënë detaje për çfarë problemi bëhet fjalë. Todorov sqaron se në rend dite do të jetë sërish historia e përbashkët, duke u shprehur decid se identiteti asnjëherë nuk do të jetë lëndë diskutimi.

“Gjithsesi se do të vazhdojmë me tekstet shkollore, aty ku mbetëm, pra ka disa pika të pambaruara lidhur me tekstet maqedonase dhe kuptohet tema për historinë e përbashkët, që gjithnjë ka qenë pikë e rendit të ditës në secilin takim deri tani. Gjuha maqedonase nuk mund të jetë lëndë diskutimi. Kjo është çështje e mbyllur dhe nuk ka çfarë të diskutohet- deklaroi Petar Todorov, Komisioni maqedono-bullgar për çështje të historisë dhe arsimit.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme paralajmëron takim të nivelit të lartë duke theksuar se Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga tri prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut. Nga MPJ-ja nuk përgjigjen nëse do të ketë ndryshime në përbërjen e ekipit maqedonas tani që Bujar Osmani është në krye të këtij dikasteri, meqë në të kaluarën disa herë ka thënë se nuk është mirë që në ekipin tonë nuk ka asnjë ekspert shqiptar.

Ndërkohë historianët i apelojnë politikës të mos i bëjë presion komisionit shkencor, në mënyrë që të tejkalohen dallimet mes dy shteteve.

“Është problem kur politika përzihet në histori. Historia punon me fakte. Nëse i krahasojmë faktet, mund t’i tejkalojmë problemet, por jo me qëllim të potencimit të mendimit politik por atij shkencor. Gjithnjë marr shembullin e Francës, që vjen nga fisi gjerman Frank, kombinim i Kylnit dhe Romës, por sot nuk kanë asnjë kontest mes Francës, Gjermanisë e Anglisë- pohoi Ratko Duev, Historian.

Ditë më parë Kryeministri bullgar, Bojko Borisov dhe Ministrja e Jashtme bullgare, Ektareina Zaharieva i kërkuan Komisionit të përbashkët sa më parë të fillojë me punë, ndërsa ekipit të Maqedonisë së Veriut të ketë qëndrim konstruktiv që dallimet të tejkalohen. Ndryshe, takimi i nëntë dhe i fundit i Komisionit maqedono-bullgar u mbajt në tetor të vitit të kaluar, në Sofje, pas çka komunikimi i palëve u ndërpre shkaku i zgjedhjeve në vendin tonë. Ky komision ekspertësh që vepron mbi bazë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë ka arritur progres të caktuar në lidhje me periudhën Antike dhe Mesjetën, por nuk ka tejkaluar dallimet rreth Goce Dellçevit e as ato rreth popullit dhe gjuhës maqedonase./alsat

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme