Kërkohet regres për inspektorët që montuan “Sopotin”

22:58 | 7 Maj 2021
L G

Avokatura Shtetërore kërkon regres ndaj inspektorëve të përfshirë në rastin “Sopoti” për dëmtim të buxhetit shtetëror me punën e tyre jo profesionale.

Alsat ka siguruar një dokument përmes të cilit Avokati i Shtetit kërkon nga Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që mbi bazën e dëmit të shkaktuar, gjashtë inspektorëve të DSK-së të njohur për opinionin t’i merret vlerë nga pasuria që të zhdëmtohet buxheti shtetëror.

Kërkesa e përfaqësuesit juridik shtetëror bazohet nga konstatimet e nxjerra nga ana e ish PSP-së gjatë procedurës për zbardhjen e rastit “Sopoti”.

Vlera që kërkohet të kthehet në buxhet arrin në 1.4 milion euro, përkatësisht aq sa janë shpaguar grupi i parë i Sopotasve që kanë vuajtur dënime me burg.

“Kemi njoftuar të gjitha institucionet për nevojën e veprimeve të tyre në kthimin e fondeve financiare në buxhetin shtetëror sipas procedurave ligjore, mbi të cilën bazë shteti do të mund të kthejë regresin e parave të paguara për dëmshpërblim. Derisa Prokuroria Publike ngrit procedurë penale kundër inspektorëve në fjalë, Avokatura Shtetërore do të kyçet në ndjekjen dhe procedurën penale ndaj tyre”, thonë nga Avokatura Shtetërore.

Por përgjigja e Prokurorisë së Villma Ruskovskas ka qenë e prerë, nuk ka bazë për intervenim penal.

“Nuk ka bazë për ndërhyrjen e Prokurorisë Publike sepse veprat në fjalë nuk përmbajnë elementet kryesore për vepër penale për të cilën ndiqet penalisht sipas detyrës zyrtare dhe që bie në kompetencën e Prokurorisë Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shkup”, thonë nga Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Avokati i Shtetit ka përsëritur kërkesat për dëmshpërblimin e Sopotasve të dënuar në mungesë. Kërkesa e tij i është adresuar Këshillit Gjyqësor, Këshillit të Prokurorëve Publik, MPB-së, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryeprokurorit Publik. Një kërkesë e ngjashme është dorëzuar edhe në Qeveri, por kryeministri Zoran Zaev thotë se palët janë në tentativë për marrëveshje. Sipas tij, nëse nuk arrihet marrëveshje dëmi do të shpaguhet në bazë të vendimit gjyqësor.

“Për Sopotin kemi marrëveshje gjyqësore për dëmshpërblim. Është duke u diskutuar edhe për një pjesë që të arrihet marrëveshje, por nëse nuk ka atëherë procesi mbaron me vendim gjyqësorë dhe shteti obligohet t’i dëmshpërblen”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

Në dy kërkesat paraprake Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë kishin hedhur topin njëra-tjetrës si kompetente për marrëveshje me ish të dënuarit në mungesë për rastin Sopoti. Në kërkesën e fundit nga Ministria e Drejtësisë akoma nuk janë përgjigjur, ndërsa nga Avokatura Shtetërore druajnë se në rast se kërkesa për dëmshpërblim vijon sipas procedurës gjyqësore, përveç harxhimeve që kanë dëmtuarit, për shumë fish do të dëmtohet edhe buxheti i shtetit, ndërsa procedura do zvarritet ndër vite.

Të ngjashme