“Derisa nuk ka drejtësi, Tetova nuk do të ketë qetësi”, “Stop drejtësisë selektive”, “14 jetë jetë humbura, e vërteta të dalë në shesh”, “Drejtësi jo pazare”.
Këto ishin vetëm disa nga pankartat që mbanin qytetarët gjatë protestës së mbajtur të mërkurën para Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në Tetovë.
Protesta u organizua nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën”, në shenjë pakënaqësie rreth procesit gjyqësor lidhur me shpërthimin e zjarrit në spitalin modular në shtator të vitit 2021, ku vdiqën 14 persona – pacientë që po trajtoheshin nga COVID-19 dhe familjarë që kujdeseshin për të afërm të tyre.
Protesta e së mërkurës pason transmetimin e një hulumtimi të Rrjetit-Laboratori për Gazetari Hulumtuese – IRL, të titulluar “Vrasje në Tetovë”.
Hulumtimi nxjerr në pah se spitalet modulare për COVID-19, përfshirë atë të djegur në Tetovë, u ndërtuan në mënyrë të papërshtatshme duke anashkaluar shumë procedura ligjore.
Sipas organizatorëve të protestës, veprimet e prokurorëve kanë lënë hapësirë për dyshime se hetimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë është sabotuar qëllimisht në mënyrë që të mbrohen fajtorët e vërtetë nga ndjekja penale, gjë të cilën e shpërfaqin me fakte gazetarët e rrjetit hulumtues të IRL-së.
“Besimi në sistemin e drejtësisë në këtë shtet për ne është zero. Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tenderëve pa kriter. U pa dhe, për fat të keq, u dëshmua se korrupsioni vret. Nga ky proces u pa dhe u vërtetua se Prokuroria dhe Gjykatat janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar që e mban peng shtetin”, tha Elemedina Abdullahi, nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën”.
Në protestë u kërkua edhe shkarkimi i kryeprokurorit Lubomir Joveski.
“Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht ta shkarkojë kryeprokurorin (Lubomir) Joveski dhe ai, bashkë me prokurorët e tjerë të përfshirë në këtë vepër monstruoze, të përgjigjen penalisht. Kërkojmë që të gjykohen dhe të dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë dhe politikanët që në kundërshtim me ligjin, tenderin për ndërtimin e spitaleve modulare ia kanë dhënë kompanisë Brako. Pa drejtësi nuk do të ketë qetësi”, shtoi ajo.
Protestuesit rikujtuan se brenda pesë vjetësh kanë ndodhur katër tragjedi, në të cilat kanë vdekur 97 persona, por për këto raste, sipas tyre, ka zero përgjegjësi.
Më pas, protestuesit i vendosën pankartat në dyert e Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore të Tetovës, siç thanë, për të prekur ndërgjegjen e prokurorëve dhe gjykatësve që të angazhohen për zbardhjen e rastit në spitalin modular, si dhe përballjen e fajtorëve me drejtësinë duke u dhënë dënimin e merituar.
Gjykata Themelore në Tetovë ka dënuar me nga një vit e gjysmë burgim me kushtFlorin Besimim, ish-drejtor i spitalit të Tetovës, dhe ish-drejtorin ekonomik, Artan Etemi.
Dënimi me kusht do të thotë se nëse Besimi dhe Etemi Brenda tre vjetësh nuk kryejnë vepër të re penale, nuk do të burgosen.
Për mosrespektim të protokollit për pacientët me COVID-19, Spitali i Tetovës është gjobitur me 1 milion denarë (16 mijë euro)./rel/
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë