Një kërcënim i rremë me bombë ka mbërritur mbrëmjen e së mërkurës në një lokacion në Beograd, ku po mbahet Festivali “Mirëdita, dobar dan”.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se, pas kontrolleve policore, raportimi për bombën e vendosur ka dalë të jetë i rremë.
Ai është bërë rreth dy orë pas hapjes së ekspozitës “Të gjithë lotët tanë” në sallën “Enxhio Hab” në qendër të Beogradit.
Hapja e ekspozitës ka kaluar pa incidente.
Ekspozita është ngjarja e parë në festivalin e sivjetmë “Mirëdita, dobar dan”, ku skena kulturore dhe sociale e Kosovës i prezantohet Serbisë.
“Të gjithë lotët tanë” u kushtohet rrëfimeve të viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi, ndërsa fotografitë janë realizuar në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
“Rrëfimet paraqesin disa aspekte të luftërave në ish-Jugosllavi: fotografi familjare të personave të zhdukur, të skenave të krimit, të varreve masive, të personave të zhvendosur brenda vendit, por edhe të pasojave të gjata të konfliktit që ndjehen edhe sot”, kanë thënë organizatorët.
Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet në Beograd që nga viti 2014, me qëllim të krijimit të një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.
Festivali, prej vitesh, shoqërohet me thirrjet dhe përpjekjet e organizatave dhe të partive të djathta në Serbi për ndalimin e tij.
Përpara hapjes së ekspozitës “Të gjithë lotët tanë”, aktivistët e Partisë së djathtë Demokratike të Serbisë kanë mbajtur të mërkurën një protestë përpara sallës “Enxhio hab”.
Kryetari i kësaj partie, Millosh Jovanoviq, ka thënë se festivali promovon pavarësinë e Kosovës, e cila, sipas tij, cenon rendin kushtetues të Serbisë.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.
Ndryshe, javëve të fundit, ka pasur disa kërcënime të rreme me bomba në adresa të ndryshme në Serbi, por edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor./REL/
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...