Google ADS

KE: Varhelyi dhe Silva nesër udhëtojnë për në Shkup dhe Sofje

14:11 | 20 Maj 2021
V. S.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se eurokomisari për zgjerim, Oliver Varhelyi dhe ministri portugez i Punëve të Jashtme, Augusto Santos Silva, do të udhëtojnë nesër në Shkup dhe Sofje.

Kryeministri Zoran Zaev dje nga Brukseli paralajmëroi se një vizitë e tillë po përgatitet në pritje të Këshillit vendimtar të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së më 22 qershor kur do të vendoset të miratohet korniza negociuese dhe Konferenca e parë Ndërqeveritare midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, me çka do të fillonin edhe zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE një vit e gjysmë pasi janë miratuar.

Nesër në mëngjes, Varhelyi dhe Santosh do të jenë në Sofje ku do të takohen me presidentin bullgar, Rumen Radev, si dhe me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të qeverisë teknike.

Pasdite, krerët e BE-së do të nisen për në Shkup ku do të takohen me Presidentin Stevo Pendarovski, Kryeministrin Zoran Zaev dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe zv.kryeministrin për Çështje Evropiane.

Varhelyi dhe Santosh sjellin me vete një propozim për ta zhbllokuar veton e Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, për shkak të së cilës mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare nuk mund të miratohet zyrtarisht.

Zoran Zaev dje për AIM deklaroi se ai beson se ka kohë të mjaftueshme për të bërë përparim në relacionin Shkup-Sofje, por se ai nuk dëshiron t’i rrisë pritjet e qytetarëve sepse Bullgaria edhe më tej disponon me të drejtën e vetos në Këshillin e BE-së.

Nëse vendet anëtare të BE-së arrijnë një marrëveshje deri më 22 qershor për Maqedoninë e Veriut dhe nëse korniza negociuese e kënaq edhe palën maqedonase, Konferenca e parë ndërqeveritare mund të mbahet midis 22 dhe 30 qershorit të këtij viti./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme