KE propozon tre miliardë euro për vendet e rajonit, 160 milionë për Maqedoninë e Veriut

15:10 | 22 Prill 2020
Arbresh.info

Komisioni Evropian propozon që të sigurohen tre miliardë euro ndihmë makrofinanciare për dhjetë vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

Siç njofton AIM, Komisioni Evropian mendon se kjo ndihmë është e nevojshme që të kufizohen pasojat negative ekonomike dhe sociale nga kriza shëndetësore me coronavirusin, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për Maqedoninë e Veriut, KE propozon që të ndahen 160 milionë euro, për Shqipërinë 180 milionë, për Bosnjën 250, Kosovën 100 milionë, si dhe Malin e Zi 60 milionë euro.

Jashtë Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian mendon se duhet të ndahen 150 milionë euro për Gjeorgjinë, 200 milionë për Jordaninë, 100 milionë për Molldavinë, 600 milionë për Tunizinë dhe 1.2 miliardë euro për Ukrainën.

Kjo ndihmë është pjesë e strategjisë së njohur si “Tim Evropa” e Bashkimit Evropian, qëllimi i së cilës është të ndihmohen vendet partnere.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme