KE nuk pajtohet me disa masa të Qeverisë së Maqedonisë

21:37 | 21 Prill 2018
Arbresh.info

Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian, përveç tjerash, konstaton se Maqedonia, përkundër përparimit të caktuar në ekonomi, megjithatë nuk zbaton reformat të mjaftueshme në rrafshin ekonomik.Ngjashëm si opinioni vendor i ekspertëve, edhe Komisioni Evropian vlerëson se në planin qeveritar për rritje ekonomike, ka potencial që të lëvizen gjërat nga pika zero, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë për shqyrtimin e rezultateve fillestare nevojitet të presim disa vite, vlerësojnë nga Instituti Fajnens Think.

Në ndërkohë , Komisioni Evropian, nuk pajtohet me masat qeveritare të mbështetjes së kompanive vendore të orientuara në eksport, për shkak të problemeve që mund të shkaktohen nga ana e Organizatës Botërore të Tregtisë si dhe kërcënimit të qëndrueshmërisë fiskale. Gjithashtu vendosja e tarifës së lirë të rrymës për amvisëritë nuk është në pajtueshmëri me rregullat e tregut, fiskalizimi nuk respektohet gjithandej, intervenimi i shtetit në sektorin privat akoma është i madh. Pozitivisht vlerësohet barazimi i kushteve për investime për investitorët vendor dhe të huaj.

INVESTIMET PUBLIKE ENDE NË NIVEL TË PAKËNAQSHËM

Vërejtje ka edhe për subvencionimin e papunësisë dhe pagat minimale në buxhetin e vitit 2018 , që sipas Komisionit Evropian është e paqartë se si do të neutralizohen në suaza afatgjate pa rritur borxhin. Investimet në energjetikë dhe transport mbeten në nivele të ulëta, ndërsa investimet publike akoma janë në nivel të pakënaqshëm.

Koncentrimi i potencialit kreditor mbetet tek tre bankat private që janë të mëdha në raport me bankat e tjera të vogla. Mungon realizimi më i madh i partneritetit privat- publik, ndërsa akoma nuk është përmirësuar dukshëm transparenca lidhur me politikën e tenderëve apo prokurorimeve publike. Gjithashtu, shfrytëzimi i mjeteve IPARD mbetet jo I tërësishëm për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme kadrovike.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike duhet të kompletohet edhe për amvisëritë përskaj asaj se vlen vetëm për bizneset. Brukseli i përshëndet marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë për furnizimin me gaz. Njëherazi kapacitetet teknike dhe burimet njerëzore nuk lejojnë rritjen e kursimit të energjisë, ndërsa shfrytëzimi i energjisë së rinovueshme si ajo e erës, diellit dhe biomasës , akoma nuk ka arritur nivelin e duhur.

Kritikohet edhe Enti i Statistikës për shkak se ofron të dhëna jo-relevante sipas metodologjisë së vjetruar, andaj sugjerohet modernizimi i këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror.

Janë lëvduar masa qeveritare për ndihmën gjatë punësimit të të rinjve. Vlerësohen pozitivisht edhe angazhimet e qeverisë së re për rritjen e efikasitetit të administratës publike dhe llogaridhënies për harxhimet e të hollave publike.

TËRHEQJA E FONDEVE TË IPARD, MBETET SFIDË

Në ndërkohë, Brukseli vlerëson se Maqedonia është e përgatitur në mënyrë të matur në bujqësi dhe zhvillimin rural. Rekomandohet që në vitin 2019, shteti të angazhohet më shumë për tërheqjen e mjeteve IPARD 2, si dhe të qartësohet roli i Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural.

“IPARD 1 ka përfunduar më shfrytëzim prej 17 për qind të mjeteve të disponueshme për periudhën 2007-2013. Aftësia për tërheqjen e IPARD , mbetet sfidë për shkak të aplikimeve jo të kompletuara dhe proceset e gjata të negocimit. Për shkak të uljes së vazhdueshme dhe qarkullimit të lartë të punësuarve në trupin menaxhues dhe agjencinë, IPARD vazhdon të krijojë një brengë serioze. Ekziston përmirësim i vogël në ofrimin e shërbimeve këshillëdhënëse”, theksohet më tej në raport. Ndërkaq, në fushën e sigurisë së ushqimit dhe politikës veterinare, Maqedonia gjendet në nivel të mirë të përgatitjes, politika fitosanitare mbetet në fazën e hershme, ndërsa në pjesën e prodhimtarisë organike dhe organizmave gjenetikisht të modifikuara, është harmonizuar legjislacioni vendor me atë evropian.

Nga Instituti Fajnens Think thonë se raporti ofron pasqyrë reale të gjendjes së ekonomisë së Maqedonisë, që njëherazi shënon edhe përparim të caktuar.

“Sidomos në raport me raportin paraprak , angazhimet dhe masat e bartësve të politikave ekonomike kanë marrë nota më pozitive. Megjithatë, hapësira mjaft e kufizuar në aspektin ekonomik, sidomos në raport me hapësirën kushtuar kritereve politike , si dhe shprehjet e përdorura si “përparim i caktuar”, “mbeten dobësitë kyçe”, dhe mungesa e masave afatgjate lidhur me vendimet politike , udhëzojnë se përparimi në politikat ekonomike dhe reformat është i pamjaftueshëm”, thonë nga Fajnens Think.

Sipas tyre, përderisa raporti në mënyrë të qartë dhe eksplicite, valorizon hapat e ndërmarra për stabilizimin dhe avancimin e ambientit politiko-demokratik, megjithatë vlerësimi pozitiv për ambientin ekonomik është shumë më i kufizuar . Një vlerësim i tillë i masave dhe politikave ekonomike të qeverisë, është tërësisht në pajtueshmëri me vërejtjet e opinionit profesional vendor për de-fokusimin e çështjeve ekonomike në periudhën e kaluar, andaj edhe raporti në pjesën ekonomike nuk paraqet ndonjë surprizë .

“Ngjashëm si opinioni vendor i ekspertëve , edhe Komisioni Evropian konstaton se plani qeveritar për rritje ekonomike , ka potencial që të lëvizë gjërat nga pika zero, por megjithatë për shqyrtimin e rezultateve fillestare nevojitet të presim disa vite”, theksohet më tej në analizën e Institutit Fajnens Think kushtuar pjesës ekonomike të Raportit të Komisionit Evropian për përparimin e Republikës së Maqedonisë.

Ndryshe, kushtet për tu anëtarësuar në BE janë kriteret politike që kanë të bëjnë me stabilitetin e institucioneve. Ato lidhen me demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut si dhe respektin për minoritetet. Kriteret ekonomike lidhen me aftësinë për të ndërtuar një ekonomi tregu funksionuese si dhe aftësinë për të absorbuar presionin kompetitiv si dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Evropian. Kriteri i “acquis”, nënkupton adoptimi i “acquis communautaire”, apo aftësisë për të marrë përsipër detyrimet që burojnë nga qenia anëtar në BE, përfshirë qëllimet e bashkimit politik, ekonomik si dhe monetar./koha.mk

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme