Katër gra në çdo një ditë sëmuren nga kanceri i gjirit!

23:33 | 20 Tetor 2017
Arbresh.info

Në Maqedoni, brenda çdo viti paraqiten mbi 700 raste të reja të diagnostifikuara me karcinom në gji. Kështu me rastin e Ditës botërore kundër kancerit të gjirit që pritet të shënohet nesër, thotë Ilir Ismaili, onkolog në Klinikën “Nena Terezë” në Shkup.

“Secilin vit, në Maqedoni regjistrohen 700 deri 760 raste të reja me diagnozën ‘kancer në gji’. Kemi edhe raste vdekjesh, mirëpo nuk posedojmë me statistika konkrete se sa pacientë vdesin nga kjo diagnozë brenda vitit”, tha Ismaili për gazetën KOHA.

Nga ana tjetër, Shoqata për luftë kundër kancerit “Borka”, në fillim të tetorit filloi fushatën tremujore kundër kësaj sëmundje. Në Maqedoni, sipas të dhënave të “Borkës”, vitin e kaluar janë zbuluar 1200 raste të reja të të prekurve nga kanceri në gji, ose mesatarisht katër gra në ditë. Në 15 vitet e fundit, mortaliteti prej sëmundjeve kancerogjene në Maqedoni është rritur për 9 për qind dhe Maqedonia është një prej vendeve të rralla në Evropë, ku vdekshmëria nga kanceri është në rritje. Sipas numrit të rasteve të vdekjes, Maqedonia është në pozitën e tretë në Evropë.

Nga “Borka” informojnë se kanë mbajtur takim me përfaqësuesit e Qeverisë dhe kanë marrë përgjigje pozitive dhe mbështetje për zbatimin e Strategjisë nacionale për kontrollin e kancerit e cila do të fillojë në vitin 2018. “Kanceri i gjirit tek gratë kërkon një trajtim të veçantë, sepse numri i grave të prekura në Maqedoni, por edhe në rrafsh global – është gjithnjë e më shumë në rritje. Maqedonia është në vendin e tretë në Evropë për shkallën e vdekshmërisë nga sëmundjet malinje”, ka thënë kryetarja e shoqatës “Borka”, Biba Dodeva.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme