Vit pas viti, dëshmitë e tmerreve të luftës së Bosnjes kanë pasuar njëra-tjetrën. Për dy dekada, zyrtarë e reporterë regjistruan dhimbjen e atyre që mbijetuan, duke humbur shumë.
Janë dëshmi grash e burrash, njerëz që dolën gjallë nga konflikti i përgjakshëm trevjeçar, por që filli i jetës, praktikisht iu këput aty. Në sytë e tyre, njeriu që drejtoi forcat serbo-boshnjake në fushatën e vdekjes, gjenerali Ratko Mladiç është projeksioni i së keqes, i ligësisë së paramenduar e të përgatitur për t’i hapur rrugën gjenocidit, një simbol i sistemit që shfarosi e sërish tentoi t’i fshihte gjurmët e krimeve të tij, të cilat vazhdon t’i mbulojë me dheun e varreve masive anembanë Bosnje-Hercegovinës.
Por nënat që mblodhën eshtrat e fëmijëve të tyre, duke folur me ato skelete sikur të ishin të gjallë, kanë vetëm një të vërtetë për të rrëfyer. Mladiç është ndoshta vrasësi më i famshëm në masë i botës ende në jete, sipas “Der Spiegel”.
Ratko Mladiç lindi marsin e vitit 1942 në fshatin Bozinoviç, rreth 50 km në jug të Sarajevës, në një rajon idilik të banuar nga fermerë të varfër, e ku thuhet se Hitleri ishte stacionuar dikur si ushtar.
Babai, partizan i Titos, u vra nga milicët fashistë kur ai ishte 2 vjeç. Ish-kolegët e ushtrisë kujtojnë sesi në rininë e vet, Mladiç ishte një lloj “supermeni” boshnjak, i zoti në çdo gjë: not, zhytje, vrap; i pari në qitje dhe një komunist i vendosur që i ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës.
Pas shkëputjes së Sllovenisë e Kroacisë nga Jugosllavia në vitin 1991, u urdhërua të drejtonte rebelimin serb në rajonin kroat të Krajinës. Kur Slobodan Milosheviç pati nevojë për dikë që të zbatonte politikat e tij të luftës në Bosnje, zgjodhi Mladiçin, asokohe 49 vjeç, dhe ushtaraku i bindur u shpërblye me postin e shefit të Shtabit të Ushtrisë serbo-boshnjake.
Që nga ai moment nuk u kthye më pas. Gjatë rrethimit më shumë se 3-vjeçar të Sarajevës, ku vdiqën rreth 14 mijë vetë, i udhëzonte personalisht snajperistët si të qëllonin mbi civilët. Ishte një nga organizatorët e “Masakrës së Srebrenicës”, ku 8.000 djem dhe burra myslimanë u vranë me gjakftohtësi, në një zonë që duhej të ishte nën mbrojtjen e OKB-së.
“Fjala ‘njeri’ nuk përdoret dot për Mladiçin”, pati thënë dikur gjenerali i tërhequr prej ushtrisë boshnjake, Jovan Divjak, ndërsa ish-ambasadori amerikan në Jugosllavi e përshkruante si Heinrich Himmlerin e gjeneratës së vet.
Por për shumë serbë, ky njeri vazhdon të mbetet një hero e të konsiderohet si një nga të paktët udhëheqës, të cilët nuk e përdorën luftën që të nxirrnin fitime personale. Për pjesën tjetër, ama, nacionalisti i tërbuar që e shihte veten si hakmarrësin e serbëve për sundimin qindravjeçar të turqve në Ballkan, edhe kalbjen në burg e ka pak.
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...
Mickoski: Kushdo që hap një temë për çështje identitare nuk ...