Kamberi: Në prag të protestës, Serbia po e shton presion ndaj shqiptarëve

21:12 | 9 Gusht 2024
R J

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe kryetari i partisë më të madhe politike në Luginën e Preshevës, (PVD), Shaip Kamberi ka akuzuar autoritetet e Serbisë për shtimin e presionit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës në prag të protestës së paralajmëruar për hënën me moton: “Për Identitet e Dinjitet”.

Kamberi thotë se një shqiptar tashmë është arrestuar për një komet që ka bërë në rrjetin social facebook.

“Në dritën e paralajmërimit të Protestës “Për Identitet e Dinjitet,” që do të mbahet të hënën, ora 11:00 në sheshin e Bujanocit, po përballemi me një valë të re presioni dhe intimidimi të nga ana e Policisë dhe organeve ligjzbatuese në Bujanoc e Vranjë. Siç bëhet e ditur, një qytetarë është arrestuar për shkak të një komenti lidhur me protestën e paralajmëruar, në profilin e facebookut të portalit lokal “Bujanovaçke” për vepër penale “nxitje të urrejtjes ndërnacionale”, shkruan Kamberi.

Rasti i është dorëzuar prokurorisë në Vranjë, thotë ai.

“Padyshim nuk duhet shprehur mirëkuptim për nxitjen e dhunës apo urrejtjes, sidomos kur kjo ndodh në një komunë multietnike siç është Bujanoci, ku edhe ashtu raportet janë të ndërlikuara”, thotë ai.

Deputeti shqiptar thotë se reagimi kundër dhunës duhet të jetë universal e jo selektiv. Ai përmend profilet e mediumeve serbe që në faqete tyre ka për çdo ditë komente antishqiptare dhe me një albanofobia të përditshme.

“Kur në këtë fushatë të shprehjes së urrejtjes antishqiptare marrin pjesë edhe zyrtarë më të lartë shtetërorë siç ishte Aleksander Vulin (dhe rasti i tij në Gjykatën e lartë në Beograd, e cila e liroi nga përgjegjësia nga padia e Këshillit kombëtar shqiptar për “nxitje të urrejtjes antishqiptare”, vendim ky që e legalizoi termin ofendues “shiptari”) arrestimi i një qytetari të zakonshëm, pak ditë para mbajtjes së protestës popullore në Bujanoc, nuk paraqet tjetër veç tentativë për frikësim të atyre që po organizojnë dhe atyre që dojnë të marrin pjesë në këtë protestë”, thotë Kamberi.

Kryetari i PVD-së përmend edhe marrjen në biseda informative të qytetarëve shqiptarë kinse për “xhihadizëm”.

“Këto raste lënë të dyshojmë se politika zyrtare në Serbi po tenton edhe me këto masa represive të tërheq vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm nga protesta legale e legjitime e paralajmëruar për realizimin e të drejtave fondamentale. Pra, kjo është një përpjekje e hapur për të frenuar reagimin popullor dhe për të heshtur zërin e shqiptarëve”, thotë Kamberi.

E gjithë kjo, sipas Kamberit, po ndodhë pr të shpërqendruar vëmendjen dhe për të demonizuar edhe protestën edhe kërkesat legjitime të shqiptarëve cilat Serbia, siç thotë më tej ai, i ka pranuar formalisht me nënshkrimin e tre marrëveshjeve me përfaqësuesit shqiptarë (2001, 2009 dhe 2013)

“Pavarësisht këtyre tentativave për frikësim, ne do të jemi të vendosur dhe të palëkundur në përpjekjet tona për të drejta, për barazi e për liri. Kërkesa për vlerat demokratike, të drejtat tona, lirinë e shprehjes dhe dinjiteti ynë nuk mund të heshtën me fushata frikësimi”, shkruan Kamberi./rtk

Të ngjashme