Me 57 vota “Pro” dhe 32 “Kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për shtetësi. Me ndryshimet në këtë ligj synohet të zgjidhet problemi i mijëra qytetarëve, shumë prej tyre shqiptarë, të cilëve u mohohet shtetësia edhe pse janë lindur ose me vite jetojnë në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Ligji parashikon që kërkuesit e shtetësisë të mund të dëshmojnë se kanë jetuar në vend duke dorëzuar dokumente personale, certifikatë të lindjes, librezë pune, fletë-pronësi, fatura për obligimet komunale, librezë shëndetësore, tatime të paguara si dhe disa dokumente të tjera, të cilat deri tani nuk pranoheshin si dëshmi.
Ndryshimet e ligjit ishin nismë e koalicionit opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët e Alternativa. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela tha se me këtë ligj ndërpritet diskriminimi dhe mohimi i të drejtave bazë të kësaj kategorie të qytetarëve.
“Shfrytëzoj rastin që të falenderoj në emrin tim personal, në emër edhe të grupit parlamentarë të ASH-AAA të gjithë deputetët të cilët e përkrahën dhe e votuan këtë ligj, sepse në fund të fundit e dëshmuam që jetojmë me problemet me të cilat përballen qytetarët. Dhe, kjo do të jetë një bazë e mirë në mënyrë që të arrihet edhe kjo e drejtë e këtyre qytetarëve që u është mohuar me dekada të tëra”, tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela.
Ndërkaq, kryetari i Alternativës Afrim Gashi tha se me miratimin e këtij ligji, shteti në një farë mënyre ka pranuar fajin për diskriminimin që u ka bërë një numri të madh të qytetarëve që nga Pavarësia.
“Sot Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me votimin e këtij ligji, ka pranuar një faj që ua ka bërë këtyre qytetarëve dhe njëkohësisht prej sot e andej ua njeh këtë të drejtë. Besoj që në të ardhmen nuk do të ndodhin gjëra të tilla të këtyre përmasave, të diskriminojnë qytetarët në këtë nivel”, u shpreh kryetari i Alternativës Afrim Gashi.
Projektligji për shtetësinë fillimisht u kundërshtua nga qeveria. Por pas bllokimit të punës së Kuvendit me mijëra amendamente nga opozita shqiptare, palët u ulën në tavolinë dhe përmes dialogut arritën te një zgjidhje kompromisi. /euronews.al
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...