Ka ndryshuar vetëm perceptimi për lirinë e mediave

18:44 | 14 Tetor 2018
V. S.

Me ndryshimin e pushtetit ajo që ka ndryshuar është vetëm perceptimi se ka ardhur liria tek mediat, ndërsa në thelb nuk ka ndryshuar asgjë. Kështu deklaroi kryetari i SHGM-së Naser Selmani, në intervistën javore në Radion Evropa e Lirë. Ai tha se me ndryshimin e pushtetit, makineria propaganduese ka filluar të punojë për interesat e Qeverisë së re, dhe sipas tij, me media të tilla, është absolutisht e pamundur që të ndërtohet demokracia, të krijohet një shtet ligjor dhe të mbrohen të drejtat themelore të njeriut.

“Ato raporte klienteliste, të mos them ndonjë fjalë më të rëndë, që janë krijuar mes politikës, biznesit dhe pronarëve të mediave, absolutisht i mbysin mediat dhe ne më nuk mund të flasim për media, por për makineri propagandistike e cila me ndryshimin e pushtetit e ndryshon anën dhe fillon të punojë për interesat e pushtetit të ri. E shihni se mediat kryesore tani më në një mënyrë kanë qasje shumë miqësore ndaj pushtetit të ri, ndërsa ato ishin grushti i regjimit të Gruevskit. Dhe nëse dikush mendon se në Maqedoni mund të ndërtojë demokraci, të krijojmë shtet ligjor, të mbrohen të drejtat themelore të njeriut, me media të tilla është absolutisht e pamundur”, tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Selmani nënvizoi se nuk sheh qëllime serioze tek pushteti aktual që të bëjë reforma thelbësore në media, të cilat siç tha ai, do të prodhonin liri më të madhe dhe përgjegjësi tek gazetarët dhe tek mediat në punën e tyre.

“Atë që e thash më herët vetëm e vërteton atë që është edhe perceptim i institucioneve ndërkombëtare. Arsyeja kryesore është se nuk kemi vullnet serioz politik për të hyrë , do të thoja, në demontimin e sistemit mediatik ekzistues, sepse të mos harrojmë se një nga shtyllat kryesore të shtetit të kapur ishin edhe mediat. Nëse Qeveria e tanishme mendon se mund t’i instrumentalizojë ato media për nevojat e veta, për përforcim të pushtetit të saj në Maqedoni, do të bëjë një gabim të tmerrshëm. Nëse ne jemi seriozë dhe të sinqertë në qëllimin e integrimit në strukturat euroatlantike, me media të tilla ne definitivisht nuk mund të shkojmë përpara”, tha Selmani.

Lidhur me ligjin për shërbime audio dhe audiovizuele që ka ngecur në Kuvend, Selmani tha se nuk ekziston vullnet politik që të bëhen këto ndryshime, pasi sipas tij, pushteti edhe pse e akuzon opozitën për bllokim, nuk ka gjetur mënyra sikurse për projektet tjera ligjore që i kanë kaluar pavarësisht obstruksioneve. Ai nënvizoi se ky ligj është peng i pazareve partiake mes aktorëve të Kuvendit dhe u bëri thirrje që ta lejojnë këtë ligj të kalojë, pasi siç tha, ata kanë shumë çështje të tjera me të cilat mund të bëjnë pazar./Shenja/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme