Ivanovi е pranoi se dhuna e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë ishte e organizuar

16:51 | 7 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, sot, derisa i demantonte deklaratat e të akuzuarve për dhunën e 27 prillit se edhe ai ka qenë i përzier në ngjarjen e përgjakshme të sulmit të organizuar në Kuvend, theksoi se këto deklarata vijnë me qëllim që ta kthejë vëmendjen nga kreatorët e vërtetë të ngjarjes ndaj shefit të shtetit dhe kabinetit të tij, edhe pse paraprakisht nuk ka folur asnjëherë për “kreatorë” të mundshëm të kësaj ngjarjeje, por dhunuesit i ka quajtur “persona që i ka marrë turma dhe emocionet”, shkruan Portalb.mk.

“Gishti po drejtohet nga unë, por kur Gjykata ta miratojë vendimin do ta dijë se kush janë aktorët kryesor, kush qëndron mbrapa 27 prillit, kush e ka planifikuar dhe kush ka qenë regjisor, por do të dihet edhe motivi”, thotë presidenti Ivanov.

Më 17 maj të vitit 2017 Ivanovi për herë të parë ndër reshta ka përmendur amnistinë për të dyshuarit dhe të akuzuarit për 27 prillin, ku ai nuk përment fare për mundësinë se këto protesta kanë organizatorë.

“Në vitin 2001 Kuvendi amnistoi kriminelët e luftës. Nëse ka qenë e mundur që të amnistohen kriminelët, atëherë përse të mos ju ndihmojmë njerëzve të cilët kanë mbledhur turmën ose njerëzve të cilët kanë marr pjesë në diçka që është më shumë shprehje e emocioneve”, deklaroi atëherë Ivanovi.

Ai në vazhdimësi, asnjëherë s’ka theksuar se ekzistojnë organizatorë. Në një deklaratë të tij më 28 nëntorit të vitit 2017, në lidhje me procesin gjyqësor kundër të akuzuarve të 27 prillit, ai thotë se protestuesit nuk duhet të trajtohen si terroristë pasi që kanë protestuar dy muaj e gjysmë paraprakisht në mënyrë paqësore

“E kam përkrahur dhe tani e përkrah iniciativën “Për Maqedoni të Përbashkët” e cila më shumë se dy muaj e gjysmë, në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme e ka treguar kujdesin për interesat nacional të Republikës së Maqedonisë. Qytetarët të cilët janë bashkuar dhe e kanë demonstruar idenë për bashkim nuk munden dhe nuk duhet të trajtohen si organizatë terroriste. Shpreh shqetësim për hakmarrjen politike që nxiti frikën dhe destabilizimin politik”, deklaroi Ivanovi më 28 nëntor të vitit 2017.

Ndryshe, gjatë seancave për rastin gjyqësor të 27 prillit, i akuzuari Aleksandar Vasilevski – Ninxha, deklaroi se Ivanov, atë natë, sipas skenarit është dashur të shpallë gjendje lufte me qëllim që të parandalojë ndryshimin e pushtetit. Këtë informatë ia ka thënë përfaqësuesi i Kabinetit të Ivanovit, Boris Josifovski i cili ka atë natë, sipas të akuzuarit ka qenë në ndërtesën e selisë së VMRO-DPMNE-së, prej ku janë dhënë direktivat për sulmin e përgjakshëm. Por, sipas deklaratës së Vasilevskit, Ivanovi nuk ka shpallur gjendje lufte për shkak të presionit të madh ndërkombëtar.

Ivanovi, në karrierën e tij si president, njihet si personalitet kontrovers i cili ka qenë dorë e zgjatur e partisë VMRO-DPMNE, me të cilën derisa ka qenë në pushtet ka udhëhequr ish-kryeministri, tanimë i arratisur, Nikolla Gruevski. Skandalet më të mëdha të presidentit, janë bërë kur shpalli faljen të gjithë funksionarët e VMRO-DPMNE-së që përndiqeshin nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë, për krime të mëdha financiare dhe lëndë të tjera.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme