Google ADS

Ivanov po thyhet, kërkon garanci nga Zaev për mandatin

15:42 | 1 Maj 2017
M. A.

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov ka kërkuar garanci nga Zoran Zaev se, uniteti i shtetit do të ruhet që t’ia japë mandatin.

Njoftimi erdhi nga zyra e kreut të shtetit, pas takimit që ai zhvilloi me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee.

“Presidenti dënon çdo dhunë politike dhe fizike në Republikën e Maqedonisë dhe ka theksuar se vetëm nëpërmjet dialogut duhet të kërkohet patjetër zgjidhje”, thuhet në deklaratë.

Ivanov theksoi se, nëse ekziston udhëheqësi e vërtetë nga kryetarët e partive parlamentare, pengesa politike dhe juridike për ndarjen e mandatit për formim të Qeverisë mund të tejkalohet.

Në atë që tingëllon si një shenjë thyerjeje e tij, të njëjtat burime pohojnë se presidenti ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për largimin e pengesave që pengojnë dorëzimin e mandatit qeverisës.

“Precedentët që kthehen në praktikë, – është shprehur ai, – dhe ilegalja që bëhet e ligjshme, minojnë parimet themelore demokratike”.

Për më tepër, Ivanov i ka kërkuar Zaevit të mbajë fjalën e dhënë publikisht, se do të ofrojë garanci së bashku me partnerët e koalicionit për forcimin e karakterit unitar të vendit, në përputhje me Kushtetutën.

“Qytetarët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe durim, – ishte apeli i Ivanovit, – sepse ekzistojnë zgjidhje që duhen mbështetur në logjikën e shëndoshë dhe dialogun”.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi deklaroi pas takimit me diplomatin amerikan se ka marrë prej tij mbështetje maksimale. Yee, të dielën u takua me drejtuesit e partive shqiptare. Burime jozyrtare nga partitë politike thonë se, ata janë optimistë që ndikimi amerikan do të hapë rrugën e zgjidhjes së krizës së rënduar, pas incidentit të 27 prillit në Kuvend.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme