Google ADS

Ivanov: NATO-ja dhe BE-ja, alternativa e vetme për Maqedoninë

17:29 | 26 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian është alternativë e vetme për perspektivën dhe kthimin e Maqedonisë në normalitet. Kështu ka deklaruar presidenti, Gjorge Ivanov në fjalimin vjetor në Kuvendin e Maqedonisë.

Ai i ka bërë thirrje Brukselit që sa më parë të vendos për zhbllokimin e procesit integrues të Maqedonisë, pasi kjo sipas tij, jo vetëm që do të ishte në interes të qytetarëve, por edhe të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

“Presim nga Bashkimi Evropian që të konfirmojë politikën e dyerve të hapura. Maqedonia me të drejt pret që në samitin e ardhshëm të merr rekomandim të pakushtëzuar dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim…Vitin 2018 është mundësi që NATO të përmirësojë padrejtësitë nga Samiti i Bukureshtit. Ky është një shans historik që të përfundojnë atë që e nisëm 25 vjet më parë, synimin për anëtarësim në Aleancës Veri-Atlantike”, ka deklaruar Ivanov.

Presidenti në fjalimin e tij para drejtuesve të institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve diplomatikë në vend, foli edhe për zhvillimet në vend duke theksuar se Maqedonia gjatë këtij viti ka kaluar një nga kriza më të rënda politike e cila u përshkallëzua në dhunë në Kuvend, më 27 prill.

Ivanov ka thënë se përgjegjësi nuk duhet të kërkohet vetëm për ata që shkaktuan dhunën, por edhe për ata që nxitën diçka të tillë. Me këtë rast Ivanov përmendi deklaratën e partive politike shqiptare të arritur në Tiranë, e cila sipas presidenti kishte nxitur reagimet, për shkak të frikës nga rrezikimi i shtetit dhe rendit kushtetuese.

“Është e domosdoshme që të përcaktohet përgjegjësi edhe për ata që shkaktuan dhunën në Kuvend më 27 prill. Kush ka vepruan në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet duhet të përgjigjen në mënyrë adekuate. Por, përgjegjësia nuk mund të gjeneralizohet. Përveç obligimeve, qytetarët kanë edhe përgjegjësi që duhet të respektohen: të drejtën e mbrojtjes, respektimin e imunitetit dhe prezumimin e pafajësisë. Për fat të keq, ne pamë deputetë me pranga në duar pa imunitet të hequr dhe qytetar të akuzuar për terrorizëm. Nuk mundem të mos i mbështesë ata të cilët për më shumë se dy muaj në mënyrë dinjitoze dhe të qetë shprehën shqetësimin e tyre për interesat shtetërore, pasi një pjesë e kërkesave të tyre, ishin edhe kërkesat e mia”, ka vazhduar më tej Ivanov duke ftuar partitë që të vendosin komunikimin dhe të pajtohen në emër të interesave shtetërore.

“Liderët në pushtet dhe opozitë duhet të vendosin komunikimin në interes të qytetarëve dhe shtetit. Nuk duhet të ketë revanshizëm politik, kemi nevojë për pajtim. Bashkimi Evropian nuk kërkon revanshizëm, por zbatim të reformave. Më thoni si do të miratohen ligjet sistemore, pa prezencën e opozitës. Duhet të punojmë për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit. Kjo është kërkesë e qytetarëve, dhe kërkesa e tyre është edhe kërkesë edhe e imja. Vatra e zjarrit të kësaj krize politike është përqendruar vetëm në një vend, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim. Rekomandimet e Pribes nuk janë zbatuar. Kjo lë dyshime se edhe më tej po manipulohet me proceset gjyqësore”, theksoi Ivanov.

Në fjalimin e tij Ivanov foli edhe për raportet me shtetet fqinje, duke theksuar përkushtimin e tij për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha shtetet. Por, në këtë rast ai kritikoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve për familjarët e grupit të Kumanovës nga Kosova, që janë dënuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitin 2015 në Kumanovë./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme