Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov akoma nuk e ka firmosur Ligjin për ratifikim të Marrëveshjes për emrin, e cila ditë më parë u miratua në Kuvend.
Nëse Ivanov deri kah mesi i javës së ardhshme kur dhe pritet të skadojë afati mbetet në qëndrimin fillestar se nuk do ta firmos, Ligji do të kthehet për rivotim në Kuvend. Pas çka, në bazë të kushtetutës Presidenti është i obliguar ta hedh firmën, megjithatë Kushtetuta nuk parashikon asnjë alternativë për dalje nga situata nëse edhe pas rivotimit të Ligjit në Kuvend, Ivanov vendos ta mbajë Ligjin në arkivë. Gjithsesi kryeministri, Zoran Zaev tha se asgjë nuk varet as nga Ivanovi e as nga politikanët tjerë, por se për Marrëveshjen fjalën e fundit e kanë qytetarët. Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, Zaev shprehu optimizëm se referendumi do të jetë i suksesshëm.
Qytetarët do të shprehen në referendum për marrëveshjen historike me të cilën shteti ecë përpara.
“Jam optimist dhe besoj se referendumi do të ketë sukses, ndërsa kjo do të thotë sukses për secilin qytetar të Maqedonisë. Fjalën e qytetarëve do të duhet ta respektojnë të gjithë, edhe Presidenti Ivanov edhe opozita, edhe ne si Qeveri”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Ndërkohë kryediplomati grek, Nikos Kotzias gjatë ditës do t’i firmos letrat, të cilat nesër do të arrijnë në NATO dhe BE. Përmes kësaj korrespodence, Greqia do të shprehë mbështetjen e saj që vendi të fillojë negociatat për anëtarësim në këto dy organizata ndërkombëtare.
Një mbështetje të tillë, Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska tashmë e ka kërkuar nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s. Me letrën drejtuar homologëve të saj, Shekerinska thekson se me pranimin e vendit në NATO do të konsolidohet demokracia dhe do të forcohet stabiliteti dhe siguria e gjithë rajonit.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...