Ismaili i shpreh mirënjohje UNESCO-s për promovimin shprehjeve kulturore në Maqedoni

15:14 | 19 Nëntor 2019
L G

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, në Paris, Republika e Francës, mbajti fjalim në Forumin e Ministrave të Kulturës, që u mbajt në kuadër të Mbledhjes së 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESKO-s.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Ismaili iu referua mekanizmave për promovimin e shprehjeve kulturore në vendin tonë dhe iniciativave që e inkurajojnë përfshirjen dhe dialogun kulturor në nivel kombëtar ose lokal.

“Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj UNESKO-s për përpjekjet, iniciativat dhe aktivitetet e tij që kanë njohur rolin e kulturës, në veçanti diversitetin kulturor dhe trashëgiminë kulturore, si elemente thelbësore në shoqëritë moderne”, tha ministri i Kulturës, Ismaili.

Ai para të pranishmëve e përmendi edhe Strategjinë aktuale për Zhvillimin e Kulturës (2018 – 2022) të Ministrisë së Kulturës dhe Legjislacionin Kombëtar (Ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Ligji për kulturën), të cilat ofrojnë mekanizma dhe aktivitete për të siguruar mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, të drejta të barabarta kulturore për të gjithë dhe kushte më të mira për avancimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe dialogun ndërkulturor.

“Në këtë drejtim, Ministria e Kulturës mbështet financiarisht projekte të shumta të institucioneve kulturore, organizatave joqeveritare, profesionistëve, artistëve nga grupe të ndryshme që e inkurajojnë shprehjen kulturore, përfshirjen dhe dialogun kulturor”, shtoi ministri i Kulturës.

Në kontekstin e promovimit të larmisë kulturore të kulturave të ndryshme që jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ismaili përkujtoi se në vitin 2017 në Listën Përfaqësuese të UNESKO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të njerëzimit ishte regjistruar aplikacioni multinacional “Praktikat Kulturore që lidhen me 1 mars – Verojkat” dhe “Kremtimi pranveror Hidrelez”.

“Regjistrimi dhe promovimi i tyre janë bazë e fortë dhe shembull i mirë i respektit dhe frymëzimit të ndërsjellë për dialogun ndërkulturor”, tha ministri i Kulturës, Ismaili. Ai theksoi se organizimi i katër konferencave për dialog ndërfetar dhe ndërcivilizues që u mbajtën në vendin tonë, të mbështetur financiarisht dhe logjistikisht nga UNESKO-ja, është një shembull pozitiv i dialogut ndërkulturor në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Në Forumin e Ministrave të Kulturës, që mbahet në kuadër të Mbledhjes së 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESKO-s nga 12 deri më 27 nëntor, marrin pjesë më shumë se 140 ministra të Kulturës dhe përfaqësues të tjerë të lartë. Tema kryesore e diskutimit është vendi qendror i kulturës në politikat publike në të gjithë botën dhe ndikimi i saj në zhvillimin e qëndrueshëm. UNESKO, agjencia e vetme kulturore e Kombeve të Bashkuara, kthehet në traditën e mbajtjes së takimeve ministrore në fushën e kulturës, 21 vjet pas Konferencës Ndërqeveritare për Politikat Kulturore të Zhvillimit, të mbajtur në Stokholm, Suedi, në vitin 1998./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme