358.4 milionë euro kanë shënuar investimet e huaja në Maqedoni vitin e kaluar. Bëhet fjalë për tri herë më pak se niveli i tyre në Shqipëri, ku më 2016-ën u investuan gati një miliard euro.
Rezultate më të dobëta, me 137 milionë euro në nëntë muajt e parë të 2016-ës shënon vetëm Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, që në vitin e kaluar ka realizuar investime të huaja në vlerë prej 215 milionë eurosh.
Në ndërkohë, siç raporton “KOHA” në Shkup, Maqedonia në kushte të ngërçit politik ballafaqohet me derdhje të kapitalit, si dhe ngadalësimin e investimeve të huaja në raport me pritshmëritë e mëdha, përcjell albinfo.ch.
Në Kosovë, edhe si rrjedhojë e problemeve të shumta politike, më 2016 janë investuar 215 milionë euro, që paraqet një rënie prej afro 100 milionë euro në raport me vitin 2015, kur ishin realizuar afro 309 milionë euro investime të huaja, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, rënia e investimeve në raport me vitin paraprak vjen si rrjedhojë e situatës politike të brendshme jostabile.
Siç raporton “KOHA” në Shkup, në Malin e Zi janë realizuar afro 550 milionë euro investime të huaja vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore të shtetit malazez. Investitori i parë, me 188 milionë euro, është Norvegjia, e dyta është Italia me 47 milionë euro dhe e treta, me 37 milionë euro, është Rusia.
Kryesisht investimet në shtetin më të vogël në Ballkan janë realizuar në patundshmëri në det, por edhe në kompanitë vendore dhe në banka.
Por, nga ana tjetër, edhe nga Mal i Zi shënohet derdhje e madhe e kapitalit, madje prej 270 milionë eurosh vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2016, në emër të pagesës së dividendës një kompanie të huaj.
Serbia vitin e kaluar shënon prurje prej 1.9 miliardë eurosh investime të huaja, që është për dy të tretat më shumë se në vitin 2010.
Njëherësh, firmat e huaja kanë nxjerrë 1.4 miliardë euro nga Serbia në emër të dividendës dhe obligimeve të tjera ndaj pronarëve të kapitalit.
Më pak investime në rajon shënohen në Bosnjë e Hercegovinë, 274 milionë marka konvertibile, apo 137 milionë euro, në nëntë muajt e parë të vitit 2016, që është dyfish më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...