Google ADS

Inaugurohet ura e re mbi Vardar

19:25 | 13 Prill 2017
Arbresh.info

Në prani të qindra qytetarëve të Gostivarit, mysafirëve dhe delegacionit të udhëhequr nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta gjatë ditës së sotme u inaugurua ura e re mbi lumin Vardar si dhe rruga e re e hapur që lidh dy pjesët e qytetit.

“Sot është një ditë e veçantë për mua si kryetar komune, administratën komunale dhe qytetarët e Gostivarit, sepse përurojmë një projekt të shumëpritur dhe me rëndësi të veçantë për qytetarët e Gostivarit”, ka thënë Bejta në fjalimin përshëndetës.

Për realizimin e projektit “Ndërtimi i urës mbi lumin Vardar”, Komuna e Gostivarit arriti të sigurojë fonde nga Fondi për Zhvillim Infrastrukturor të Komunave – MIDF.

“Në emrin tim, qytetarëve dhe administratës komunale, shpreh mirënjohje deri te ky institucion për përkrahjen që na dhanë në realizimin e këtij projekti”, tha kryetari Bejta, duke shtuar se me urën dhe rrugën e re do të lidhen pjesa jugore dhe veriore e qytetit, me çka do të lehtësohet qasja deri tek Institucionet arsimore të qytetit, tre shkollat e mesme, institucionet e drejtësisë si dhe dy stadiumet e qytetit.

Ura dhe rruga e re bëjnë lidhjen e shumë lagje dhe fshatra me autostradën Gostivar – Tetovë – Shkup, dhe magjistralen Gostivar – Kërçovë dhe Gostivar – Dibër, thuhet në kumtesë.

Kryetari Bejta tha që ky projekt ishte premtim elektoral në zgjedhjet e vitit 2013, dhe se ndjehet i lumtur që u arrit që ky premtim të bëhet realitet.

“Në zgjedhjet e vitit 2013 motoja ime ishte ‘Unë e dua Gostivarin’. Unë vazhdoj ta dua Gostivarin dhe besoj që me mbështetjen tuaj do të vazhdojmë të punojmë që Gostivarit tu ngjan qyteteve perëndimore”, vijoi kryetari Nevzat Bejta.

Ndërtimi i urës si dhe ndërtimi i rrugës së re bashkë me sistemin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, ndriçimit publik dhe trotuareve, kapin vlerën e përgjithshme të investimit prej mbi 1 milion euro.

Gjatësia e urës së Demokracisë është 42 metra, gjerësia 20 metra. Janë ndërtuar katër korsi për vetura nga 3 metra të gjera, 2 korsi shtesë për biçiklistët me gjerësi nga 1.5 metra, si dhe 2 trotuare për këmbësoret me gjerësi nga 2 metra në të dyja anët e rrugës. Ura mbështetet në 8 shtylla mbajtëse prej betoni.

Edhe rruga i ka të njëjtat performanca. Është ndërtuar sistemi i kanalizimit atmosferik, ndriçimi publik, si dhe sinjalizmi horizontal dhe vertikal.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme