Google ADS

Identifikohen personat që dyshohet se hapën tunelin në Gjykatën e Lartë të Malit të Zi

20:41 | 22 Shtator 2023
KRG

Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Filip Axhiç, tha të premten se policia ka identifikuar personat që dyshohet se kanë hapur tunelit në Gjykatës së Lartë në Podgoricë.

Në konferencën me gazetarë u bënë të ditur emrat dhe fotografitë e të dyshuarve, ndërsa ministri Axhiq tha se të premten ose të shtunën pritet të lëshohen fletarreste ndërkombëtare për të dyshuarit.

Zoti Axhiç tha se “32 vjeçarët Vladimir Eriç dhe Velko Markoviç, 53 vjeçari Milan Markoviç dhe 30 vjeçari Dejan Jovanoviç, të gjithë nga Serbia, dyshohet se kanë kryer këtë krim”. Ai theksoi se “të dyshuarit u larguan nga Mali i Zi pas zbulimit dhe kontrollit të tunelit në Gjykatën e Lartë”.

Ministri i Brendshëm Filip Axhiç bëri të ditur se “ekziston një lidhje e caktuar mes kësaj organizate kriminale dhe një personi të Gjykatës së Lartë”.

Policia në Mal të Zi më 11 shtator zbuloi një tunel nëntokësor që lidhte një apartament me një depo të gjykatës aty pranë, në të cilën ruheshin lëndë narkotike të sekuestruara dhe dëshmi të tjera të krimeve.

Pamjet e publikuara nga televizioni shtetëror i Malit të Zi shfaqen një vrimë të madhe në mur në depon e Gjykatës ku po mbaheshin dëshmitë e proceseve gjyqësore.

Sipas të dhënave të autoriteteve shtetërore, në gati tre vitet e fundit, në depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë janë ruajtur gjithsej rreth 9.5 ton droga të llojeve të ndryshme, nga të cilat rreth dy ton kokainë dhe rreth shtatë ton marihuanë.

Hyrja e tunelit në ndërtesën e gjykatës u gjet në një vend “të fshehur mirë” brenda depos, tha kryetari i gjykatës Boris Saviç, duke shtuar se “autorët gërmuan në themelet e ndërtesës për muaj të tërë për të hyrë brenda”./VOA

Të ngjashme