Policia hungareze rihapi një vendkalim kufitar me Serbinë, një ditë pasi qindra migrantë protestuan duke kërkuar hyrjen në Hungari.
“Kalimi kufitar është rihapur”, thuhet në një deklaratë, në faqen e internetit të policisë.
Kufiri ishte mbyllur përkohësisht, pasi rreth 200 migrantë, përfshirë fëmijët, u mblodhën në këtë vend dhe kërkuan të kalojnë kufirin.
Të mbështjellur me batanije, migrantët qëndruan në mot të ftohtë në vendkalimin kufitar Kelebija, duke bllokuar trafikun.
Disa migrantë mbanin në duar mbishkrime: “ne jemi refugjatë, jo kriminelë” dhe “ne po ikim nga lufta, jo nga uria”.
Një burrë i tha faqes së lajmeve HVG.hu se ata po protestojnë në mënyrë paqësore.
“Ne duam të na lejohet që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Evropës Perëndimore”, tha ai.
Më vonë, migrantët u dërguan me autobus në qendrat e pritjes në Serbi, tha Svetlana Paliq, zëdhënëse e komisariatit serb për refugjatë.
“Pretendimet e tyre do të procedohen në të njëjtën mënyrë si ato të azilkërkuesve të tjerë”, tha Paliq.
Disa mijëra migrantë që ikin nga lufta dhe varfëria në vendet e tyre janë bllokuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa kërkojnë të hyjnë në vendet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore.
Gjatë krizës së migrantëve të vitit 2015, qeveria e djathtë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ngriti një gardh me tela në kufirin 175 kilometra të gjatë me Serbinë.
Hungaria njoftoi se vetëm gjatë muajit të kaluar ka pasur më shumë se 3.400 përpjekje për të kapërcyer kufirin.
Zyrtarët thonë se shumica e migrantëve vijnë nga vendet e shkatërruara nga lufta në Siri, Irak, Afganistan dhe Jemen./rel
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë
Kush janë 16 banorët e parë të Big Brother VIP Albania 4
Drenusha-Sarës: Nuk ke ndjenja për Drilonin