Institucionet hungareze akoma heshtin për kërkesën e Qeverisë së Maqedonisë për ekstradimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili para një muaji u arratis nga Maqedonia në këtë vend anëtar të BE-së, ku më pas ka marrë azil politik.
Gruevski u largua nga Maqedonia në momentet kur duhet të paraqitet për vuajtjen e dënimit dyvjeçar me burg për rastin me furnizimin e mercedesit luksoz.
Derisa ekipet e gazetarëve dhe furnizuesit gjyqësorë e kërkuan adresën e tij, ish-kryeministri i Maqedonisë udhëtoi për në Hungari, përmes vendeve ballkanike fqinje.
“Nuk ka afat për përgjigje apo ekstradimin e personit të gjykuar”, thonë nga Ministria e Drejtësisë. Por përvojat paraprake me ekstradimin e personave të gjykuar nga Hungaria siç ishte rasti në shtator, për shembull, janë zgjidhur shumë shpejtë. Megjithatë, rasti me Gruevskin është shumë specifik pasi bëhet fjalë për person, ish-kryeministër, i cili ka marrë azil politik në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian.
“Parë në aspektin juridik, specifika e këtij rasti është tek azili”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë duke theksuar se personi, kushdo qoftë, derisa ka mbrojtje ndërkombëtare nuk mund të ekstradohet në vendin amë.
Në rastin me Gruevskin, sipas procedurave për azil të Zyrës së Hungarisë për migrim çdo tre vjet përsëri shqyrtohet statusi i secilit që ka marrë azil në Hungari.
Por, mbetet të shohim nëse do të pritet kaq kohë për rianalizimin e azilit dhe për ish-kryeministrin e Maqedonisë i cili ka marrëdhënie të afërta miqësore me kryeministrin aktual hungarez, Viktor Orban.
Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë kërkesën për ekstradim e ka dorëzuar më 20 nëntor të këtij viti deri tek Ministria kompetente hungareze për ekstradim, por të njëjtën ditë Gruevski në një status në profilin e tij në Facebook publikoi se ka marrë azil politik në Hungari.
Ndërkohë, Gruevskit në mungesë i janë shqiptuar disa masa paraburgimi, por të paraburgosur janë bashkëpartiakët e tij për vepra për të cilat edhe ai akuzohet si Mile Janakievski, Kirill Bozhinovski…
Herën e fundit ish kryeministri i arratisur i është drejtuar opinionit në Maqedoni përmes një statusi në Facebook më 20 nëntor. “Republika e Hungarisë, shtet anëtare e BE-së dhe NATO-s, sot është përgjigjur pozitivisht në kërkesën time paraprake për azil politik për shkak të ndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë.
Në kërkesën për azil politik theksova se të njëjtën e kërkoj për shkak të ndjekjes politike nga qeveria e re e udhëhequr nga partia LSDM”, qëndron në statusin hyrës, njëherësh edhe i fundit në profilin e tij në Facebook.
Por, nuk dihet nëse ish kryeministri i Maqedonisë ende është në Budapest apo ka vazhduar rrugën.
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka thënë se nuk e humb shpresën për dërgimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në Maqedoni edhe përkundër qëndrimit të komisionarit për Zgjerim Johaness Hahn, i cili dyshon se kjo do të ndodhë dhe faktin se as Parlamenti Evropian nuk mund të bëjë asgjë lidhur me këtë çështje./AlsatM/
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...