Hetimet treguan se Gruevski nuk ka dalë nga Maqedonia në Shqipëri nëpër vendkalim legal

14:00 | 2 Janar 2019
A. B.

Nuk do të ketë përgjegjësi për Policinë Kufitare në lidhje me arratisjen e Nikolla Gruevskit, pasi që me siguri është konstatuar se ai nuk ka ikur nëpërmjet pikës legale kufitare drejt Shqipërisë, mëson portali maqedonas sdk.mk nga burime nga Prokuroria.

Nuk dihet saktë se ku e ka kaluar kufirin që të arratiset në Shqipëri, supozohet se ka ikur nëpërmjet pikave ilegale për tejkalim që i shfrytëzojnë vendasit që jetojnë rreth kufijve të dy vendeve. Parahetimi ka konfirmuar se në arratisjen e tij nuk ka lëshime nga personat zyrtar nga Policia Kufitare në Qafëthanë, Shën Naum, Stenje, Xhepçisht dhe Bllatë, që janë vendkalime zyrtare kufitare.

Incizimet nga kamerat e sigurisë nga zyrtarët kufitarë të Shqipërisë dhe Malit të Zi janë siguruar, ndërkaq prej tyre Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion mund të duket vetëm se si ka lëvizur vetura diplomatike me të cilën nga Shqipëria Gruevski ka kaluar në Mal të Zi dhe Serbi, deri në Hungari, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me atë se si Gruevski ka hyrë në Hungari me letërnjoftim (pasi që pasaportën ia ka marrë Gjykata Themelore Shkupi 1), është çështje e këtij shtetit të BE-së. Ministria e Drejtësisë e Hungarisë ende nuk është deklaruar në lidhje me kërkesën e Maqedonisë për ta kthyer mbrapa të dënuarin Gruevski, të cilit autoritetet e atjeshme i kanë dhënë azil.

Gruevski më 13 nëntor 2018 nëpërmjet Fejsbukut njoftoi se gjendet në Hungari, ndërsa një javë më vonë tregoi se autoritetet e atjeshme ia kanë pranuar kërkesën për azil.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme