Prokuroria malazeze njoftoi se ka nisur një hetim pasi Autoriteti i Statistikave të Malit të Zi, (Monstat) konfirmoi se 16 nga regjistruesit e tij dhe një instruktor u përjashtuan nga fushata e regjistrimit të popullsisë.
Zyrtarët thanë se individët në fjalë dyshohet se kishin përdorur në terren stilolapsa, boja e të cilëve mund të fshihej dhe disa u zbuluan se kishin kopje të ndryshme nga ato origjinale.
Pas informacioneve të konfirmuara nga Monstat, Departamenti i Policisë për Krim dhe Korrupsion dhe Prokuroria i kanë kërkuar Monstatit që të paraqesë listat origjinale për rastet kur dyshohet për shkelje.
Përfaqësuesit e partive politike opozitare në Malin e Zi kërkuan zhvillimin e hetimeve për të gjetur nëse shkeljet ishin të organizuara. Ata kanë kërkuar një kontroll të të dhënave të mbledhura nga regjistruesit e përjashtuar, përpara se ato të futen në regjistrin përfundimtar.
Mjetet e shkrimit, për rastin në fjalë, dyshohet se përmbajnë bojë e cila fshihet lehtësisht në temperatura më të larta, duke mos lënë gjurmë në sipërfaqen e fshirë.
Mali i Zi filloi më 3 dhjetor procesin e regjistrimit të popullsisë pas disa shtyrjeve.
Sipas njoftimeve të mëparshme, regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi duhet të fillonte në tetor, por kryeministri Milojko Spajiq ofroi shtyrjen për disa kohë, pasi partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve kërkoi plotësimin e të gjitha kushteve të parashikuara në marrëveshjen për regjistrimin e popullsisë që kishte nënshkruar me kryeministrin.
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, sipas analistëve është shndërruar në një çështje politike mes grupimeve më të mëdha politike pro-malazeze dhe pro-serbe. Analistët theksojnë se regjistrimi i popullsisë mund të ndryshojë strukturën kombëtare të popullsisë në Malin e Zi.
Edhe në raportin e Komisionit Evropian u theksua se regjistrimi i popullsisë dhe banesave kërkon menaxhim të kujdesshëm nga autoritetet, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me etninë, fenë dhe gjuhën.
Regjistrimi i fundit u zhvillua në vitin 2011 në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, me qëllim përcaktimin e të dhënave statistikore për popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat. Rezultatet e para të regjistrimit treguan se Mali i Zi ka 625266 banorë dhe 194795 familje.
Sa i përket përkatësisë kombëtare dominoi komuniteti malazez me 44,98 %, pasuar nga komuniteti serb 28,73%, boshnjakët 8,65% dhe shqiptarët me 4.91%./Voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...