Google ADS

Hapat e parë të Pendarovskit

08:34 | 23 Maj 2019
Arbresh.info

Emërimi drejtorit të ri të Agjencisë së Inteligjencës, paralajmërimi për analiza të politikës së jashtme dhe për zhbllokim të procedurës për agremanë për ambasadorë, ligjet e nënshkruara, të cilat Gjorge Ivanov nuk i dekretoi, krahas kompletimit të përbërjes së kabinetit të tij, janë vendimet e para që i ka marrë presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski pas marrjes së funksionit.

Pendarovski e emëroi Eroll Musliun drejtor të ri të Agjencisë së Inteligjencës. Musliu më parë ka punuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, ndërsa viteve të fundit në Agjencinë e Inteligjencës.

Krahas emërimit të Musliut, në ditët në vijim paralajmërohet se do të emërohen edhe emrat e personave, të cilët ai anëtarë të vet do t’i emërojë në Këshillin nacional për siguri. Këshillin e sigurisë do ta përbëjnë presidenti i shtetit, kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministrat të cilat udhëheqin me organet e administratës shtetërore nga fusha e sigurisë, mbrojtja dhe punët e jashtme, si dhe tre anëtarë të emëruar nga shefi i shtetit.

Në pjesën e politikës së jashtme, Pendarovski e ka zhbllokuar edhe procedurën për agremanë për  ambasadorë, e cila është bllokuar nga paraardhësi i tij Gjorge Ivanov, ndërsa paralajmëroi edhe se do të kërkojë nga Qeveria dhe MPJ-ja analizë për të gjitha përfaqësitë  diplomatike-konsullore të vendit  jashtë shtetit dhe për kompetencat e ambasadorëve që të  shihen performansat e politikës së jashtme.

Ndërkaq, destinacioni i parë i shefit të shtetit jashtë vendit do të jetë vizita në Bruksel në qershor gjatë mbajtjes së Samitit të BE-së, kur pritet edhe vendimi për caktimin e datës për fillim të bisedimeve aderuese të vendit me Unionin.

Është bërë e ditur përbërja e kabinetit të Pendarovskit. Sekretar i përgjithshëm do të jetë Mile Boshnjakovski, i cili deri tani e ka ushtruar funksionin zëdhënës i Qeverisë, ndërsa shefe e protokollit do të jetë Biljana Micevska. Përgjegjëse për marrëdhëniet me opinionin do të jetë Katerina Canevska, ndërsa Biljana Radeva do të jetë pres oficer, informojnë nga kabineti i shefit të shtetit.

Këshilltar i sigurisë kombëtare do të jetë Blerim Kolari, Aleksandar Spasov si konsultant i jashtëm do ta ushtrojë funksionin e këshilltarit për politikë të brendshme dhe të jashtme. Këshilltarë në kabinet do të jenë edhe Toshe Zafirov, Luljeta Ademi dhe Goce Karajanov.

Në sferën e politikës së jashtme, këshilltarë të jashtëm do të jenë ish-shefat e diplomacisë Aleksandar Dimitrov dhe Denko Maleski dhe ish-ambasadori në Austri, Sasho Tavçiovski.

Këshilltar të jashtëm për punët ligjore do të jenë edhe profesoresha Besa Arifi dhe ish-gjykatësja në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Marijana Lazarevska Trajkovska.

Stevo Pendarovski u zgjedh në zgjedhjet presidenciale më 21 prill, gjegjësisht 5 maj, ndërsa është inauguruar në funksion më 12 maj. 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme