Grubi: Qeveria qëndron prapa komunës së Çairit për projekte të mbara

14:10 | 26 Gusht 2021
V. S.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi i shoqëruar nga ministrat Bujar Osmani, Kreshnik Bekteshi dhe Naser Nuredini si dhe kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu kanë qëndruar për vizitë në lagjen Seravë me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atmosferik në më shumë rrugë të kësaj lagje.

Për realizimi i këtij projekti janë ndarë mbi 1 milionë euro, ndërsa mjetet janë siguruar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes Programit TAV.

“Dua të përcjellë para jush që me angazhimin e Qeverisë të gjitha mjetet e destinuara për ndërtimin e Aeroportit cargo në Shtip tashmë ne i kemi ridestinuar me vendim qeveritar për të zhvilluar projekte në të gjitha komunat tona, 36 milionë euro dhe siç po mund të vëreni përmes mediave por edhe në komunat që jetoni në të gjitha vendbanimet. Nuk ka komunë që nuk ka projekte që nuk realizohen përfshirë këtu edhe komunën e Çairit të cilës ia përkrahim të gjitha projektet me të cilat ka aplikuar në Qeveri, dhe këtë nuk e them rastësisht sepse dua të theksoj para juve bashkëqytetarë se në emër të të gjithë neve në Qeveri se qëndrojmë prapa Visar Ganiut dhe komunës së Çairit dhe projekteve ashtu siç po zhvillohen”, – është shprehur kështu Zëvendëskryeministri i parë, Grubi.

Sipas Grubit, ky nuk është projekt i vetëm në komunën e Çairit, pasiqë së shpejti do të fillojë realizimi edhe i dy projekteve të tjera përmes ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, për përmirësimin e jetës së qytetarëve në komunën e Çairit. “Sot jemi këtu për të promovuar një nga projektet e TAV Programit fillimin e punimeve por shumë shpejtë do të vijojmë edhe me dy projekte tjera me ministrinë e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor për të përmirësuar jetën e qytetarëve në komunën e Çairit, pra theksi i prezencës tonë këtu është që ne po qëndrojmë prapa projekteve të Visar Ganiut në komunën e Çairit dhe jemi garantues të realizimit të tyre së bashku”, ka thënë më tej para të pranishmëve, Grubi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme