Google ADS

Greva e doganierëve grekë, Kapshtica bosh prej mëngjesit të sotëm

12:38 | 2 Prill 2024
A Z

Prej orës 5:30 të mëngjesit ka nisur greva 48 orëshe e paralajmëruar e doganierëve grekë, çfarë ka paralizuar lëvizjet ndërkufitare në doganën e Kapshticës.

Territori i doganës është bosh dhe kanë qenë të paktë qytetarët që kanë udhëtuar drejt Greqisë si këmbësorë dhe pa bagazhe.

Qytetarë të painformuar për mbylljen e kufirit për shkak të grevës kanë ardhur në doganë me mjete, por më pas kanë lëvizur në këmbë për në tokën greke. Edhe turistë të huaj, të painformuar për grevën kanë qenë të detyruar të kthehen pas.

Për 48 orë nga dogana e Kapshticës mund të udhëtojnë drejt Greqisë dhe Shqipërisë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe personat që udhëtojnë për arsye shëndetësore.

Për mjetet e transportit të udhëtarëve, taksitë dhe mjetet e transportit të mallrave nuk do lejohet lëvizja deri mëngjesin e 4 Prillit, kur është njoftuar përfundimi i grevës së doganierëve greke, shkruan tvklan.

Të ngjashme