Google ADS

Greqia shtyn afatin e lejeqëndrimeve, përfitojnë mijëra shqiptarë

15:40 | 19 Mars 2024
A Z

Autoritetet greke të emigracionit shtynë deri më 31 dhjetor të këtij viti afatin e lejeqëndrimeve të emigranteve që përfundonin më 31 mars.

Sipas qarkores, njoftuar të martën nga Ministria greke e Emigracionit, shtetasit e huaj nga vendet e treta, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë qytetarët nga Shqipëria, kanë të drejtë të dalin dhe rihyjnë në territorin grek me leje qëndrimi, të cilave u ka përfunduar afati i vlefshmërisë.

Vendimi përfshin edhe kategorinë e të huajve që janë në proces të marrjes së lejeve të reja të qëndrimit, apo të ripërtëritjes së tyre.

Kjo kategori emigrantësh mund të lëvizë në pikat kufitare duke paraqitur në kufi një vërtetim të aplikimit për lejeqëndrimi.

Vendimi më i fundit i autoriteteve greke vjen pas vonesave në pajisjen e migrantëtve me lejet e reja të qëndrimit.

Shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Greqi i lidhin vonesat me kapacitetin e ulët të burimeve njerëzore në qendrat greke të trajtimit të kërkesave të emigrantëve.

Sipas të dhënave të Ministrisë greke të Emigracionit shtetasit shqiptarë përbënin në dhjetor të vitit 2023 rreth 59,6% të të huajve me qëndrim të rregullt në një numër të përgjithshëm prej rreth 278 mijë personash.

Ky numër i emigrantëve shqiptarë është dukshëm më i ulët se dy vite më parë kur në Greqi numëroheshin 435 mijë shqiptarë, që përbënin rreth 62,8% të të huajve me qëndrim të rregullt në Greqi./VOA/

Të ngjashme