Masat e Serbisë në lidhje me Kosovën asgjë nuk kanë sjellë e as qe kanë hasur në një jehonë më serioze në skenën ndërkombëtare. Kështu vlerësojnë ekspertet për marrëdhënie ndërkombëtare ne Beograd.

”Mendoj se Serbia është përballë një kryqëzimi, ku duhet të qasë një mënyrë të re për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Ajo është tashmë e shkruar e definuar në marrëveshjen e fundit të Brukselit dhe në Agjendën e Ohrit. Tani, problemi është në politikën serbe, e cila e pranon këtë agjendë të Ohrit, pastaj thotë se nuk e pranon dhe kështu ne ndodhemi në një errësirë totale”, thotë Sreqko Gjukiq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane në Serbi.

Me miratimin e masave, Beogradi zyrtar ka kërkuar zgjedhje lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në polici dhe sistemin gjyqësor, si dhe tërheqjen e forcave speciale të policisë së Kosovës nga veriu. Këto kërkesa, siç theksoi presidenti i Serbisë, janë kushte për përparimin në procesin e dialogut.

Megjithatë, diplomati Gjukiq nënvizon se vendimet e mëparshme të Beogradit, siç është tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës, janë kontradiktore dhe kanë përjetuar një debakël.

”Thjesht ka ardhur momenti për sa i përket Kosovës kur gjërat po pastrohen plotësisht. Një politikë që është ndjekur vazhdimisht me ndryshime të shumta për më shumë se 20 vjet pas luftës në Kosovë ka përjetuar fiasko dhe fundin e saj, ndërkohë që një politikë e re ende nuk është inauguruar”, tha Gjukiq.

Sipas tij, Beogradi ka pasur një sërë veprimesh të gabuara, pas të cilave serbët në Kosovë mbeten në pasiguri, mes konflikteve politike dhe problemeve ekonomike.