Google ADS

Gjukanoviç: Mali i Zi është model për lirinë mediatike

15:12 | 22 Mars 2019
Arbresh.info

Prej 28 vjetësh, Milo Gjukanoviç, përcakton fatet e Malit e Zi – me shume sukses, siç thotë ai. Në një intervistë me DW-në ai i hedh poshtë të gjitha kritikat për stil autoritar dhe korrupsion.

Deutsche Welle: Zoti President, ju keni patur takim me homologun tuaj gjerman. Me çfarë mesazhi jeni kthyer nga ky takim?

Milo Gjukanoviç: Me mesazhin e thellimit të mëtejshëm të angazhimit gjerman për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të Malit të Zi si një vend që i paraprin procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

DW: Mali i Zi e sheh veten si parerendës në procesin e afrimit të vendeve të rajonit me Bashkimin Europian. Ju keni pasur mjaft suksese në këtë plan, por keni tani edhe demonstrata kundër jush. Ju akuzojnë për korrupsion dhe citojnë disa raste, kërkojnë që të largoheni nga detyra. Si reagoni ndaj akuzave kaq të ashpra?

Gjukanoviç: Si diçka që është e zakonshme. Kjo nuk është asgjë e re – siç e dini, që nga koha e viteve nëntëdhjetë e deri sot kam patur gjithmonë kritikues, të cilët kanë qenë shumë të ashpër ndaj politikës që kam personifikuar dhe ata kanë shfrytëzuar pak a shumë çdo mundësi për të kërkuar zëvendësimin tim, çka do të krijonte hapësirë për një tjetër politikë nga ajo që ndjek unë.

Politika që unë personifikoj është politika e një kthese të fortë të Malit të Zi dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt qëllimit tonë të përbashkët evropian. Siç e dini, jo të gjithë njerëzit në Mal të Zi dhe në rajon mbështesin një perspektivë të tillë. Ata mendojnë se një zhvillim në tjetër drejtim, që do të ishte më shumë konservim i politikës së ndjekur para viteve nëntëdhjetë – i një politike që në thelb do ta largonte Ballkanin Perëndimor nga Evropa – do të ishte zgjidhja më e mirë. E kjo është luftë politike, që është bërë e që bëhet ende jo vetëm në Mal të Zi, por në të gjitha vendet e rajonit. Kështu që këto kërkesa nuk më surprizojnë. Në lidhje me to përgjigja ime është gjithmonë e njëjta: jam i gatshëm të bisedojmë hapur me të gjithë njerëzit, që kanë propozime për politika të tjera për Malin e Zi, por natyrisht pa kurrfarë ultimatumesh dhe ndryshimesh jashtë-institucionale, për arsye se mendoj se kjo nuk është në interesin e Malit të Zi.

Prej 30 vjetësh që nga kthesa e madhe politike e Malit të Zi në vitet ’90 punoj që të kemi zhvillim institucional në Mal të Zi. Mendoj se kemi arritur të bëjmë shumë. Të gjitha ndryshimet që duhet të ndodhin në Mal të Zi, duhet të ndodhin në përputhje me rregullat, të gjitha i kemi shkruar vetë në kushtetutën dhe në legjislacionin tonë.

DW: Në Berlin ju thatë se qeveria malazeze është e gatshme të bisedojë me ata që udhëheqin formalisht protestat. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Gjukanoviç: Përderisa njerëzit kanë kërkesa dhe pritshmëri të caktuara ndaj qeverisë së Malit të Zi dhe përderisa janë njerëz që nuk janë në parti politike, por siç thonë vetë, udhëheqës të protestave civile, mendoj se çdo pushtet i përgjegjshëm duhet të thotë se protestat janë mënyrë legjitime e shprehjes së vullnetit politik. Që këtyre njerëzve – nëse nuk renditen në parti, as të pushtetit e as të opozitës – u duhet dhënë mundësia që të kontaktojnë me qeverinë dhe t’i paraqesin asaj propozimet e tyre në mënyrë që të mund të bisedohet për to me përfaqësuesit e pushtetit, sepse mendoj se kjo është dëshmi e kapacitetit demokratik të qeverisë dhe dëshmi e përgjegjësisë dhe përkushtimit të qeverisë për interesat e qytetarëve.

DW: Me këtë iu përgjigjet thuajse edhe pyetjes tjetër që desha të bëj: Dje thatë edhe se protestat në Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri janë tregues i përparimit të Ballkanit Perëndimor. Në Ballkanin Perëndimor ka patur protesta që nga vitet *90. Çfarë është ndryshe tani.

Gjukanoviç: Ndryshimi është – flas për Malin e Zi – se këto protesta deri tani nuk kanë karakter të dhunshëm, nuk mbartin idenë e shkatërrimit të institucioneve, shkatërrimit të ndërtesave ku janë vendosur institucionet malazeze, siç ka qenë rasti në protestat e vitit 2015, siç ka qenë me protestat e organizuara dhe të përgatitura në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016. Tani kemi protesta, në të cilat qytetarët shprehin kërkesat e tyre dhe përgjigja e qeverisë është: protestat janë mënyrë e ligjshme e shprehjes së qëndrimeve politike të njerëzve, e ne jemi të gatshëm të bisedojmë me njerëzit që drejtojnë këto protesta për kërkesat e tyre. Në këtë kontekst mendoj se ky përbën një përparim dhe është tregues i pjekurisë politike. Flas në këtë rast për shoqërinë malazeze.

DW: Çfarë mendoni për akuzat që vijnë nga Serbia në lidhje me protestat atje – Presidenti Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë përmendur disa herë të ashtuquajturin “skenar maqedonas”. Akuzojnë vendin fqinj Maqedoninë e Veriut që në një farë mënyre mbështet opozitën dhe përzihet në ngjarjet. A mendoni se ka një të vërtetë këtu?

Gjukanoviç: Është vërtet e vështirë për mua të gjykoj. Nuk e shmang këtë çështje, por nuk jam në dijeni të plotë nëse ka edhe interesa të tjera në organizimin e protestave në Beograd. Thashë dje, në bisedën së cilës ju iu referuat, dhe këtë dëshiroj ta përsëris, se të gjitha këto protesta në rajon – si në Serbi, në Shqipëri dhe në Mal të Zi – kanë një fill të përbashkët. Kjo fije e përbashkët është një nervozizëm dhe dëshirë e dukshme për të ndryshuar pushtetin në një mënyrë ndryshme nga ç’e parashikon kushtetuta dhe ligji. Kushtetuta dhe ligji parashikojnë që pushteti të zgjidhet në zgjedhje dhe të jetë shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve.

Siç e dini, pikërisht për shkak të mungesës së besimit në kapacitetin demokratik të shoqërive të Ballkanit Perëndimor, proceset tona zgjedhore kanë edhe monitorim shtesë. Këto janë misionet vëzhguese të OSBE-së, të Këshillit të Evropës. Ata jo vetëm ndjekin procesin zgjedhor; pas çdo procesi zgjedhor ata japin sugjerime se si të përmirësohet sistemi ynë zgjedhor. Kështu që nga përvoja malazeze mund t’ju them se ne kemi përmirësuar dhe e përmirësojmë më tej sistemin tonë zgjedhor dhe se është vlerësimi i atyre që kontrollojnë modelin tonë elektoral që ai është shumë pranë asaj, që quhet praktikë e mirë zgjedhore evropiane.

Prandaj mendoj se kërkesat për ndryshim të pushtetit jashtë institucioneve dhe asaj që parashikohet nga sistemi ynë ligjor, sistemi ynë zgjedhor, nuk janë propozime të mira, janë sugjerime të papërgjegjshme, janë propozime që në fakt shkatërrojnë institucionet. Dhe kur shkatërroni institucionet, shkatërroni vetë shtetin. Dhe shtetet dhe institucionet janë në Ballkan krijesa të brishta. Ne punojmë për to, të them, vetëm dekadat e fundit. Dhe për këtë besojmë se nuk është mirë të shfaqet një tendencë të tillë dhe konstatojmë se një tendencë të tillë ekziston në të gjitha vendet që përmendëm, në të cilat aktualisht zhvillohen protesta. Unë gjithashtu kam vërejtur, dhe këtë dua të ndaj me ju, që insistohet në këto protesta dhe ndryshime të tilla të pushtetit, madje edhe kur është krejtësisht e qartë se me to do të dëmtohen disa prej interesave thelbësore kombëtare të këtyre shteteve.

Shqipëria ndodhet para hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Sot BE bën të ditur se një atmosferë e tillë mund të çojë në shtyrjen e fillimit të negociatave me Shqipërinë. Kjo po ndodh. Që ta përsëris: Më duket se ka një fill të përbashkët në këto protesta, se insistohet në zgjidhjet jashtë institucionale, insistohet në ndryshimin e pushtetit, madje edhe atëherë kur kjo rrezikon dinamikën e disa proceseve, që janë të rëndësishme nga pikëpamja e interesave kombëtare të këtyre shteteve.

DW: A ka tek ju në Mal të Zi termi “skenar maqedonas” konotacion aq negativ sa në Serbi? A përdoret ndopak?

Gjukanoviç: Nuk përdoret në Mal të Zi; nganjëherë e përmend ndonjë nga opozita … Dua të them se në Maqedoni në fund u bënë zgjedhjet dhe në këto zgjedhje u vendos vullneti demokratik i qytetarëve në Maqedoni; në bazë të këtij vullneti u konstituua pushteti, i cili në një kohë të shkurtër tregoi kapacitet për të zgjidhur një problem të zgjatur dhe të trashëguar të marrëdhënieve maqedono-greke dhe hapi perspektivën e anëtarësimit të afërt të Maqedonisë në NATO dhe fillimin e procesit të afërt të negociatave të Maqedonisë me Bashkimi Evropian.

DW: Një tjetër temë që përmendet, kur është fjala për Malin e Zi: ekologjia. Ajo është tek ju pjesë e Kushtetutës, Mali i Zi është republikë ekologjike me kushtetutë. Megjithatë, jo larg Ulqinit është kriporja, e cila është ornitologjike dhe shumë interesante përsa i përket biodiversitetit, por nuk është e mbrojtur sipas standardeve evropiane – për shkak të privatizimit të disa viteve më parë, që ende nuk ka përfunduar. Atëherë kur u privatizua, ju keni qenë kryetar i qeverisë së Malit të Zi dhe jo president si sot. BE dhe Parlamenti Europian kanë kërkuar nga Mali i Zi që ta ruajnë këtë kripore si terren ekologjik. Po humbisni rastin për të krijuar Malin e Zi ekologjik?

Gjukanoviç: Ju përmendët disa fakte, por latë dimensionin kohor. Pra, në vitet 1990, Mali i Zi u shpall shtet ekologjik dhe shfaqi synimin të vendosë standarde, që do të ruanin me të vërtetë një mjedis shumë cilësor. Pas kësaj kemi pasur procesin e privatizimit. Unë nuk kam qenë kryetar i qeverisë, kur është privatizuar kriporja, por kjo nuk do të thotë që nuk isha në jetën politike; Unë isha kryetar i shtetit – siç jam sot …

Pse e di që është kështu? “Sepse kriporja është privatizuar përmes skemës Voucher. Privatizimi me sistemin “Voucher” është bërë në një kohë, kur unë nuk isha kryetar i qeverisë. Megjithatë, unë nuk kam ndonjë rezervë këtu, pra privatizimi është bërë sipas rregullave të përcaktuara nga shteti. Pas kësaj, si në këtë dhe në disa raste të tjera, janë shfaqur dobësi në punën e këtyre kompanive, kështu që kriporja pas një farë kohe e ndërpreu prodhimin. Ndërprerja e prodhimit nënkupton në të njëjtën kohë përkeqësimin e infrastrukturës së nevojshme për ruajtjen e këtij habitati të shpendëve në hapësirën e kripores. Pasi e identifikuam këtë problem – jo vetëm ne, por edhe disa miq nga bashkësia ndërkombëtare – nisi procesi i mbrojtjes së kripores. Kështu kjo është një punë, me të cilën kemi të bëjmë gjatë këtyre viteve të fundit, dhe pak më parë folëm për kohën e viteve nëntëdhjetë.

Qeveria e Malit të Zi është e lidhur me Komisionin Evropian. Është bërë një studim i përbashkët për mbrojtjen e kripores. Ky studim është miratuar. Ka qenë në debat publik në Ulqin, sepse është çështje e Ulqinit, dëgjimi publik përfundoi më 31 janar 2019 dhe tani pritet që pikëpamjet që janë dëgjuar nga debati publik t’i propozohen Kuvendit për miratim. Unë besoj se ky propozim do të miratohet dhe se hapësira e kripores do të jetë një hapësirë, që do të gëzojë mbrojtje në periudhën e ardhshme. Që do të thotë, se me siguri do të kenë statusin e parkut natyror.

DW: Për këtë arsye është e nevojshme të tërhiqet privatizimi. Ju në Kuvendin e Malit të Zi keni thënë se Eurofond – kështu është emri i firmës, apo jo? – e ka marrë kriporen për përdorim. Por kjo firmë mendon se e ka blerë hapësirën dhe se kriporja është pronë e saj. Çfarë është e saktë këtu dhe çfarë jo?

Gjukanoviç: Që të ndodhë ajo për të cilën flasim nuk do të thotë se nevojitet të tërhiqet privatizimi. Pra, nëse shteti dëshiron të shpallë një park natyror në një zonë të caktuar, këtë mund ta bëjë pavarësisht nëse ai është në pronësi shtetërore ose në një formë tjetër pronësie. Nëse është në një formë tjetër pronësie shteti është i detyruar të ofrojë kompensim për ata që kanë pronën e tyre private në atë zonë. Pra, problemi është i zgjidhur.

Së dyti, dikur e gjitha kjo ka qenë pronë shoqërore. Me miratimin e ligjit të marrëdhënieve me pronën, shteti i Mali të Zi ka parashikuar që toka që dikur ishte dhënë për përdorim, nëse ishte pjesë e një dosjeje privatizimi të një kompanie që privatizohet, të kalojë nga pronësia shoqërore në pronën e atij që e privatizon atë. Prandaj, nuk është fjala për kriporen; fjala është për çdo kompani që ka kaluar një procedurë të tillë privatizimi. Dhe, për aq sa di unë, çështja tani është në organin kompetent, Këshilli i Privatizimit nën kontrollin e Qeverisë së Malit të Zi dhe në organin kompetent të quajtur Mbrojtësi i marrëdhënieve pronësore-juridike të shtetit të Malit të Zi, kështu që është në procesin e arbitrazhit, në të cilin do të vendoset nëse në rastin e kripores janë plotësuar kushtet që toka, që dikur ka qenë në përdorim, të konsiderohet tani pronë e atij që e ka privatizuar ndërkohë kriporen.

Ndërkohë edhe qeveria ka investuar në rindërtimin e kripores, sepse fabrika në këtë kohë nuk ka punuar. Pra, kjo infrastrukturë është e rëndësishme për të ruajtur performancat e kësaj hapësire, që do të ishin të rëndësishme për habitatin e shpendëve. Shteti ndërkohë ia ka dhënë për administrim këtë hapësirë kompanisë publike, Parqet kombëtare. Si pasojë ka marrë përgjegjësinë direkte për ruajtjen e kësaj hapësire.

Të gjitha këto janë zgjidhje të përkohshme, përderisa, siç thashë, nuk është bërë studimi i mbrojtjes me ndihmën e Komisionit Evropian, përderisa nuk ka përfunduar debati publik, deri sa nuk është miratuar studimi në parlament, atëherë kjo zonë do të konsiderohet park natyror, një zonë e mbrojtur, në të cilën me siguri do të ruhen ato veçori të rëndësishme. Hapësira është rezervat për zogjtë dhe mendoj se ndërkohë me përpjekje të ndryshme, duke përfshirë organizimin e ri, pajisjet e reja etj. do të organizojmë edhe prodhimin e kripës.

DW: Në Podgoricë është temë, dhe së shpejti do të jepet vendimi për një grup shtetasish rusë dhe serbë dhe krerët e Frontit Demokratik opozitar malazeze, që akuzohen se pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, kanë planifikuar sulmin ndaj parlamentit, arrestimin dhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm, që jeni ju, me qëllim parandalimin e hyrjes së Malit të Zi në NATO. Të akuzuarit që nga fillimi nuk e kanë pranuar fajësisë. Ata thonë se presin një gjyq dhe vendim të politizuar. Si e komentoni këtë?

Gjukanoviç: Po mirë, a prisni që dikush t’ju tregojë që herën e parë se ka marrë pjesë në rrëmujën që nevojitet për të siguruar ndryshimin e pushtetit në Mal të Zi, pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve? Ai besoj aktakuzës – absolutisht po! Dhe nuk është më e rëndësishmja, nëse vetëm unë besoj; kemi pasur mundësinë të dëgjojmë nga adresa të ndryshme vlerësime shumë të ngjashme.

Unë do t’ju kujtoj atë që tha, për shembull, Presidenti Vuçiç nga Beogradi, pasi u njoh me dokumentacionin e organeve të tyre të inteligjencës dhe sigurisë. Pas kësaj, unë do t’ju kujtoj një deklaratë të bërë nga nënkryetari USA Majk Pens; një vlerësim të bërë nga Ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson dhe shumë zyrtarë të tjerë evropianë dhe botërorë, të cilët sigurisht vlerësime të tilla nuk i kanë bërë, pa u njohur me ato të dhëna, që shumë shpesh kanë karakter të shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë.

Pra, nëse më pyesni a besoj në këtë: jo vetëm që besoj, por jam absolutisht i bindur nga një seri informatash, nga një seri argumentesh shumë të besueshme, se ka ekzistuar një skenar shumë i qartë, të cilin kanë krijuar shërbimet inteligjente ruse, që nga një platformë, e cila ishte formuar në Beograd, ku përfshihej një rreth njerëzish me orientim nacionalist nga Serbia, të gatshëm për të ndihmuar partitë opozitare dhe udhëheqësit e tyre në Malin e Zi, për të shkaktuar trazira dhe për të marrë parlamentin, për të deklaruar fitoren dhe në këtë mënyrë, pavarësisht nga numërimi i votave në ditën e zgjedhjeve të 16 tetorit 2016, të merrnin pushtetin dhe kështu të sigurohej që Mali i Zi të mos hyjë në rrugën e integrimit në NATO – pra për këtë jam absolutisht i bindur.

Fakti që unë jam i bindur, nuk do të thotë asgjë për njerëzit që marrin vendimet gjyqësor. Ky është rrëfimi im, që bazohet në faktet që kam, dhe ato i thotë një njeri i politikës. Pavarësisht nga kjo, siç e dini, prej më shumë se një viti e gjysmë vazhdon procesi gjyqësor në Podgoricë, ku analizohen rrënjësisht të gjitha provat, mbi bazën e të cilave gjykata – pres së shpejti – do të shpallë gjykimin e shkallës së parë. Më duket se është logjike, që të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë proces pohojnë se nuk kanë të bëjnë fare me një qëllim të tillë, megjithëse e përsëris, një seri argumentesh, dëshmish dhe faktesh të tjera tregojnë se një synim i tillë absolutisht që ka ekzistuar

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme