Ministria e Jashtme e Gjermanisë i ka bërë thirrje të premten Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet e miratuara rishtazi për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.
Në një shkrim në X, Gjermania iu bashkua qëndrimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian se Qeveria e Serbisë i ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar këto projektligje, të cilat pritet të dalin për votim në Parlament.
“Ne u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta zbatojnë pa asnjë vonesë marrëveshjen e Ohrit, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Ministria gjermane.
Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi një projektligj për, siç e quajti ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, si dhe një projektligj tjetër për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.
Këto projektligje janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë javës, të cilat njëzëri thanë se ato shkelin qartazi detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën në Bruksel.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës me këto projektligje.
Por, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i arsyetoi projektligjet, duke thënë se ato vijnë si përgjigje ndaj, siç u shpreh ai, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni i BE-së, EULEX”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 dhe janë pajtuar për zbatimin e saj dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa – si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe – në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.
Kjo e nxiti Beogradin zyrtar të njoftojë në shtator se do të krijojë prokurorinë speciale për territorin e Kosovës, si një masë për mbrojtjen e “interesave jetike kombëtare të popullit serb” në Kosovë.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paraqitur më herët gjatë javës disa masa për Kosovën, duke thënë se prokuroria speciale dhe dhomat gjyqësore të veçanta do të “ndjekin të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullsisë serbe” në Kosovë.
Projektligji i përpiluar nga Qeveria serbe parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008./rel/
Drita për t’u rikthyer te fitoret, Feronikeli ’74 për befasi...
Sara vazhdon të mendojë se pëlqimi i Fitimit ndaj saj nuk ës...
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë