Google ADS

Gjenerali Dikoviq i akuzuar për krime lufte: Kam mbrojtur jetën e 15 mijë shqiptarëve në Drenicë

11:04 | 26 Shkurt 2017
Arbresh.info

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, më në fund ka folur për akuzat për përfshirjen e tij në krime lufte në Kosovë dhe për operacionet për fshehjen e trupave më pas.

Në filmin dokumentar të publikuar ditë më parë nga Qendra për të Drejtën Humanitare, thuhet se rreth 1,400 civilë u vranë në vitin 1999 në zonën e Kosovës, e cila ishte nën kontrollin e Brigadës 37 të Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila në atë kohë drejtohej nga Lubisha Dikoviq.

Lidhur me këto akuza ndaj tij, Dikoviq ka folur për gazetën “Alo”, duke thënë se “i vjen keq për të gjitha viktimat e rëna gjatë luftimeve të vitit 1999”.

“Viktima të pafajshme kishte edhe në anën serbe edhe në anën shqiptare, por edhe në mesin e popullatës tjetër në territorin e Kosovës, por edhe në tërë territorin e Republikës Federative të Jugosllavisë.  Kanë ndodhur edhe krime, kurse ushtria dhe pjesëtarët e saj nuk i kanë fshehur ato, por për çdo krim që kanë pasur njohuri kanë iniciuar procedura adekuate ndaj kryerësve të veprave”, thotë Dikoviq, transmeton Telegrafi.

Lidhur me filmin dokumentar të publikuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, ai thotë se është realizuar në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, dhe “që ka për qëllim diskreditimin e luftës së të gjithë pjesëtarëve të ushtrisë dhe kreut komandues të saj në luftën kundër forcave shqiptare-terroriste dhe forcave të NATO-s”.

“Në mënyrë tendencioze dhe pa asnjë dëshmi po përpiqen të më bëjnë përgjegjës për krime, dhe atë se kam urdhëruar kryerje të krimeve, i kam nxitur ose i kam kryer vet.  Në dokumentar nuk është paraqitur pjesa që ka të bëjë me veprimet e ushtrisë ndaj civilëve dhe mbrojtjen e jetës së tyre. Brigada e motorizuar 137 heroikisht ka luftuar kundër forcave terroriste shqiptare dhe agresionit të NATO-s. Në ato luftime kemi pësuar humbje të mëdha, me 60 të vrarë dhe 120 të plagosur, të cilët Fondi Humanitar nuk i përmend, madje as nuk iu intereson kush e ka bërë këtë, thua se vetë u plagosën ose bënë vetëvrasje. Do t’ua përkujtoj se në Gllogoc dhe Skenderaj atëherë kanë qëndruar mbi 15 mijë qytetarë, jeta e të cilëve është mbrojtur”, tha Dikoviq, duke shtuar se Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd në mënyrë tendencioze po e plason të vërtetën e vet për krimet e kryera në territorin e Kosovës.

Sipas Dikoviqit,  Fondi Humanitar nuk përmend, ose harron krimet e kryera ndaj popullatës serbe dhe asaj jo shqiptare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme