Gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoni përfundon të shtunën, nuk ka paralajmërime se do të vazhdohet

09:19 | 10 Qershor 2020
Arbresh.info

Gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut përfundon më 14 qershor (e shtunë), ndërsa deri tani nuk ka pasur paralajmërim nëse dhe kur do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit, në të cilën ajo mund të vazhdohet.

Deri të shtunën, qeveria pritet të ketë një qëndrim nëse do të bëjë thirrje për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, nga e cila do të varet data për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Deri më tani, nuk ka as paralajmërim për mbajtjen e takimit të liderëve në të cilin partitë politike do të bien dakord për datën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nëse qeveria do të kërkojë zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme duhet të dihet deri të premten. Deri atëherë, duhet të arrijë edhe mendimi i Komisionit për Sëmundje Infektive për gjendjen me pandeminë.

Pas vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme më 30 maj, presidenti Stevo Pendarovski deklaroi se sipas informacioneve të tij, para se të ndodhin tendencat e reja që lidhen me pandeminë, partitë politike ishin afër një marrëveshje për një datë për zgjedhje, por për shkak të zhvillimit të situatës dhe rritjes së numrit të të sëmurëve dhe të vdekurve, bisedat u ndërprenë.

Vendimin e fundit, të katërt, për gjendjen e jashtëzakonshme 14-ditore presidenti Stevo Pendarovski pas seancës së Këshillit të Sigurimit e miratoi më 30 maj.

Dy vendimet e para për gjendje të jashtëzakonshme u kontestuan përpara Gjykatës Kushtetuese, por ai vendosi që nuk ka asnjë bazë për të filluar një procedurë për ta vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e tyre.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme