Gjeloshaj: Në Mal të Zi nuk mund të ndalohet përdorimi i flamurit shqiptar

18:08 | 6 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se kohën e fundit flamuri shqiptar është bërë gjemb në sytë e zyrtarëve policorë në Ulqin dhe Malësi.

“Me keqardhje, konstatojmë veprimin jo-kulturorë dhe anti-civilizues të disa zyrtarëve policorë, si dhe të gjykatës për shkelje penale të cilët vendosën që të merren me punë qorre”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk mundet policia dhe as gjykatat, sa do që të përpiqen të frikësojnë dhe të ndalojnë shqiptarët që të përdorin dhe shprehin dashurinë e tyre për flamurin e vetë kombëtar.

“Sa do që të angazhohen, nuk janë në gjendje të dënojnë sa jemi të gatshëm të paguajmë, për të mbrojtur flamurin tonë, krenarinë tonë që i lidh shqiptarët kudo. Me shekuj nga Skënderbeu flamuri jonë kombëtar ishte dhe mbetet simbol i civilizimit në këtë rajon dhe më gjerë”, deklaroi Gjeloshaj.

Ai ka thënë se shqiptarët janë popull autokton.

“E respektojmë Malin e Zi si shtetin tonë dhe simbolet nacionale të Malit të Zi, këtë e kemi treguar vazhdimisht, por urrejtja e shprehur nga disa institucione ndaj flamurit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi është një problem që tashmë është rast neuropsikiatrik”, ka thënë ai.

“Me këtë rast ne e ftojmë publikisht Kryetarin e Kuvendit, z. Brajoviq, që në seancës së parë të rregullt të përfshihet në rendin e ditës Ligji mbi Simbolet nacioanle të miratuar nga Qeveria e Malit të Zi në tetor 2017 dhe të dërgoi në Kuvend dhe propozimin për ndryshimin e Ligjit për Rendin Publik të dorëzuar nga nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi , Genci Nimanbegu pak ditë më parë në procedurën parlamentare”, ka shtuar më tej ai.

Gjeloshaj u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët ndëshkohen për arsye që e duan vetën dhe flamurin e vetë, që të lajmërohen Alternativës Shqiptare në mënyrë që të marrin të gjitha shpenzimet që mund t’i kenë derisa përfaqësuesit e shqiptarëve të zgjidhim këtë problem në mënyrë institucionale.

“Gjeloshaj përfundon që shqiptarët duhet të vazhdojnë që flamurin ta përdorin, duan dhe respektojnë”, ka thënë ai./Malësia.me

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme