Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas vizitës së tij të fundit në Paris, ka njoftuar se në dy muajt e ardhshëm Serbia do të nënshkruajë një marrëveshje për blerjen e aeroplanëve luftarakë “Rafale”.
Megjithatë, sipas informacioneve që vijnë nga mediat franceze, gjërat nuk janë edhe aq të thjeshta. Presidenti rus, Vladimir Putin, sanksionet e Moskës, marrëdhëniet me Kinën, çështja e Kosovës, janë temat që e pengojnë blerjen e këtyre avionëve.
Një javë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas bisedës me presidentin francez Emmanuel Macron, bëri të ditur se kanë arritur marrëveshje konkrete për blerjen e aeroplanëve luftarakë “Rafale”, shkruan Nova.rs.
“Jam shumë i lumtur për rezultatet e atyre bisedimeve, i lumtur sepse kemi mundur të flasim hapur dhe konkretisht për të gjitha format e bashkëpunimit me një nga vendet më të rëndësishme në botë. Më duket se kemi arritur disa marrëveshje konkrete për blerjen e aeroplanëve. Pres nënshkrimin e kontratës në dy muajt e ardhshëm, me prezencën e presidentit të Francës, që është domethënëse për vendin tonë në shumë nivele”, tha Vuçiq me atë rast.
Megjithatë, sipas BFM-së franceze, Franca synon të marrë konfirmimin për zhvillimet politike në vend përpara përfundimit të kontratës për shitjen e aeroplanëve ushtarakë.
“Kompania e aviacionit ‘Daso’ refuzon të diskutojë për shitjen e mundshme të aeroplanëve në Serbi. Transaksioni, i cili do të përfshinte një duzinë aeroplanësh, mund t’i sjellë Francës tre miliardë euro, por vendi synon të marrë një konfirmim për ngjarjet politike në Serbi para se të bie dakord për transaksionin”, shkruajnë mediat franceze.
Shpenzimet ushtarake në rritje
“Të gjitha vendet evropiane po armatosen, kështu që edhe ne duhet ta bëjmë këtë”, tha Aleksandar Vuçiq në mars.
Investimet e Serbisë në blerjen e armëve kanë qenë në rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Nga viti 2012 deri në vitin 2023, buxheti ushtarak i Serbisë u trefishua dhe arriti në 1.4 miliardë euro. Më shumë se buxheti i pesë vendeve të tjera të Ballkanit së bashku, shkruan BMF franceze.
Siç raportojnë ata, në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2023, Serbia ka shpenzuar 2.67 miliardë euro për blerjen e armëve – kryesisht për blerjen e sistemit kundërajror kinez FK-3, helikopterëve rusë Mi-17 dhe Mi-35.
Afërsia me Rusinë
Blerja e aeroplanëve “Rafal”, megjithatë, është më komplekse. Afërsia e kreut të shtetit serb me Vladimir Putinin është problem për Parisin. Edhe pse Serbia e dënoi agresionin rus në Ukrainë, ajo nuk iu përmbajt sanksioneve perëndimore.
Në fund të marsit, ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq vizitoi Moskën, e cila, sipas diplomacisë serbe, ishte një mundësi për të përmirësuar “lidhjet tradicionalisht miqësore midis Serbisë dhe Rusisë”.
Para së gjithash, blerja e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia dhe Kina nuk është ndalur që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022. Në shkurt, presidenti serb prezantoi me krenari blerjet e tij të fundit: repelentët rusë, një sistem anti-drone, si dhe dronët kinezë. Ai gjithashtu premtoi se deri në fund të vitit 2024 do të vërë në prodhim një mjet fluturues pa pilot që bart eksploziv, të prodhuar në Serbi.
“Republika e Serbisë merr armë dhe pajisje ushtarake nga Lindja dhe Perëndimi”, shpjegoi ministria e Mbrojtjes e Serbisë në mars në përgjigje të një pyetjeje nga agjencia AFP në lidhje me blerjet nga Rusia dhe Kina.
Prej disa kohësh Franca është angazhuar për intensifikimin e bashkëpunimit me Serbinë në fushën e mbrojtjes. Marrëveshja dypalëshe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes është në fuqi që nga viti 2011 dhe është rinovuar që nga viti 2019.
“Do të ishte e pakuptimtë nëse Parisi, nga njëra anë, përmend dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe nga ana tjetër i shet armë jashtëzakonisht të sofistikuara njërit prej aleatëve më të afërt të Rusisë”, ka thënë politologu Jasmin Mujanoviq.
Shitja e “Rafale” tek aleati i Moskës “do të ishte shqetësuese sepse do të lejonte rrjedhjen e informacionit në Kinë dhe Rusi”, beson ai./Arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...