Google ADS

Flet vajza e të dënuarit me burgim të përjetshëm e “Grupit Kumanova”

23:15 | 2 Nëntor 2017
Arbresh.info

Melisa Zekaj, vajza e Valdet Zekajt, i cili sot nga gjykata e Shkupit u dënua me burgim të përjetshëm për pjesëmarrjen në ngjarjet e majit 2015 në Kumanovë, tha se janë të shqetësuar me padrejtësinë që sipas saj iu bë edhe një herë shqiptarëve.

Ajo aludonte në dënimin me 746 vjet burgim të anëtarëve të Grupit të Kumanovës, ku bën pjesë edhe babai i saj.
“Jemi shumë të shqetësuar me këtë padrejtësi që edhe njëherë iu bë shqiptarëve. Kemi pritur që kanë me marrë një hap të rëndësishëm si Qeveria maqedonase si dhe ato shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri”, tha Melisa, e cila ishte pjesë e grupit të qytetarëve që sonte protestoi në Pejë.

Gjatë kësaj proteste u dogj e përdhos flamuri i Maqedonisë.

Melisa Zekaj kritikoi dy qeveritë e Kosovës, atë të kaluarën dhe këtë aktualen, të cilat sipas saj nuk kanë bërë asgjë për djemtë e Kosovës të burgosur në Maqedoni.

“Bile kjo e fundit kemi pritur shumë më shumë se e dimë që është krahu i luftës, edhe e dimë kush i ka çuar në atë pozitë ku janë. Qytetarët i kanë votuar ata me shpresën që kanë me bërë diçka për luftëtarët, për të gjithë ata që kanë luftuar për këtë vend dhe idealin, por në fakt kryeministri u pa që nuk dha asnjë deklaratë për Rastin e Kumanovës”, tha Melisa Zekaj gjatë protestës së sontme.

Shtatë prej të akuzuarve janë dënuar me burgim të përjetshëm e 13 me nga 40 vjet burgim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme